Thaçi: Vizita e Ramës në Beograd, mesazh për gjithë rajonin

I pyetur për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd, ku do takojë kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha mbrëmë në intervistë televizive se “mendoj se është një hap shumë i qëlluar i kryeministrit Rama, gjithashtu reflektim edhe i kryeministrit të Serbisë Vuçiç për ta pritur kryeministrin e Shqipërisë”.

“Mendoj se është një mesazh edhe për krejt rajonin se nuk do të ketë tash e tutje moskomunikim të vendeve të ndryshme apo të kryeministrave”, deklaroiThaçi.

“Vlerësoj se përmirësimi apo ndërtimi i raporteve normale ndërshtetërore Shqipëri-Serbi është reflektim edhe për frymën evropiane euroatlantike të rajonit. Shqipëria si vend i NATO-s natyrisht ka përparësitë e veta në këtë drejtim. Kështu që unë shpresoj dhe inkurajoj edhe kryeministrin Rama, edhe kryeministrin Vuçiç që me angazhimin e tyre të tregojnë rolin e tyre që ju takon edhe për vendet e tyre, por edhe për rajonin në përgjithësi”, u shpreh Thaçi.

Ai në vazhdim kujtoi edhe marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi të 19 prillit të vitit të kaluar në Bruksel, në dialogun në nivel të lartë kryeministrash të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

“Dua të theksoj se marrëveshja e arritur në Bruksel ka hapur përspektivë edhe për takime të tilla në mes vendeve që nuk kanë zhvilluar takime të tilla për dekada të tëra”, tha Thaçi në intervistë për RTK-në.

Dhe, duke folur më tej për vizitën e fillimjavës së ardhshme të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi, kryeministri kosovar Thaçi tha: “Prandaj, besoj se është hap i qëlluar, i menduar mirë, i domosdoshëm, i vonuar, por, është një veprim të cilin e kanë pritur të gjithë, e presin të dy vendet, e pret edhe rajoni, por edhe SHBA-të edhe BE-ja. Pra, është takimi që është pritur të ndodhë, që do duhej të ndodhte edhe më herët”.

Kryeministri i Thaçi paralajmëroi vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë në Bruksel, pas krijimit të institucioneve të zgjedhjeve në Kosovë.

“Sa i përket takimeve të nivelit të lartë politik, fillimisht kishte zgjedhje Serbia, gjatë pranverës, pastaj ndodhën zgjedhjet edhe në Kosovë, dhe ky proces paksa nga ngecur. Por, unë jam optimist se spektri politik i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm për shtetndërtim dhe të ardhmen euroatlantike të vendit tonë është i zotuar që ky proces të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha kryeministri kosovar.

“Dhe, unë pres që me ndërtimin e institucioneve, fare normalisht, ky angazhim vetëm të rritet dhe të ndodhin takime që janë në interes për të dy vendeve tona, edhe për shtetin e Kosovës, edhe për Serbinë, edhe për rajonin, në mënyrë që të ndërtojmë raporte të fqinjësisë së mirë si parakusht i domosdoshëm për integrimin e dy shteteve tona në strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, theksoi Thaçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button