Bushati: Ata që mendojnë për ‘Shqipërinë e madhe’, jetojnë në një tjetër botë

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë për Research on South East Europe (LSEE) thotë se ‘ata që ende mendojnë për Shqipërinë e madhe jetojnë në një tjetër botë’.

Ministri i jashtëm shqiptar jep gjykimin e tij mbi një numër çështjesh me të cilat vendi aspirant për në BE duhet të përballet. Duke u ndalur tek lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, ai gjykon se ky problem është ende i pranishëm, por është gjithashtu e vërtetë se progres raporti i KE-së e njeh vendosmërinë politike të qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Duke e lidhur këtë me skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, ministri Bushati thotë se është jetike që të punohet në tri fronte: së pari, duhet siguruar një historik i shëndoshë dënimesh për korrupsionin; së dyti, duhet punuar për të siguruar masa dhe mekanizma parandalues; së treti, nevojitet një ndarje e qartë mes pushteteve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore.

“Njerëzit janë të velur nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit dhe duan të shohin që fajtorët përfundojnë pas hekurave, por në të njëjtën kohë ne duhet t’iu sigurojmë këtyre të fundit një proces të drejtë ligjor”, shprehet Bushati në intervistë.

I pyetur për ngjarjet që ndodhën në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ministri vlerëson se të dy palët duhet ta përdorim procesin e anëtarësimit në BE si një emërues të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.

Sigurisht, vijon ai, që ekzistojnë disa ndryshime ne jemi vend anëtar i NATO-s, ndërsa Serbia mohon çdo lloj lidhjeje formale me të; ne jemi pjesë e projektit TAP ndërsa Serbia jo; ne jemi anëtarë të nismave mesdhetare ndërsa Serbia nuk është. Por, nga ana tjetër vendet tona kanë shumë ngjashmëri: Serbia dhe Shqipëria janë që të dyja vende kandidate për në BE e për këtë arsye ne e shohim normalizimin e marrëdhënieve si element kyç për konsolidimin e stabilitetit demokratik në rajon dhe për avancimin e përbashkët në proceset integruese, shprehet Bushati.

I pyetur se cila do ishte masa më e rëndësishme për t’u ndërmarrë nga qeveria Vuçiç, që do të ndihmonte në normalizimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, ministri i jashtëm përgjigjet duke iu referar vizitës së pritshme të kryeministrit Rama më 10 nëntor në Beograd.

“Pres që vizita e së hënës e kryeministrit Rama të jetë një vizitë normale. Kjo do të jetë hera e parë në histori që kryeministrat e dy vendeve tona takohen, e për këtë arsye ne e mirëpresim një zhvillim të tillë. Në rajonin tonë ka një kontekst të ri gjeopolitik: ne jemi të vendosur të hapim një kapitull të ri marrëdhëniesh me Serbinë dhe të punojmë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të lëna pezull. Ndaj unë pres një vizitë normale, të shoqëruar nga i njëjti sens realizmi nga ana e Serbisë. Unë e ndoqa fjalën e z. Vuçiç këtu në LSE dhe shpresoj që ai të jetë aq modest sa ç’u duk këtu”, shprehet ministri i jashtëm i Shqipërisë.

Lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, Bushati thotë se statistikat dëshmojnë se ekzistojnë më shumë marrëdhënie tregtare mes Serbisë dhe Kosovës se sa mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ata që ende mendojnë për Shqipërinë e madhe jetojnë në një tjetër botë nga realiteti i sotshëm. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik me Kosovën këtë vit, në të cilën ekzistojnë dispozita të qarta sa i përket kufijve të të dy vendeve. Projekti ynë madhor është anëtarësimi në BE. E njëjta gjë vlen dhe për Kosovën”, thotë ministri.

Ndërsa sa i takon përkushtimit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Bushati shprehet se ky proces do të ishte një shtysë për përmirësimin e kredencialeve demokratike të vendit. “Për ne nuk ekziston tjetër alternativë përveç anëtarësimit në BE dhe unë besoj se kjo vlen për të gjitha vendet e rajonit. Ju nuk do të gjeni asnjë vend në Ballkanin Perëndimor që nuk përpiqet t’i bashkohet BE-së, pavarësisht vështirësive”, shprehet Bushati në intervistën për LSEE.(BalkanWeb)

Lajme të ngjashme

Back to top button