Një Milan të pastër italian, projekti i Berlusconit

Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, nuk ishte i pranishëm si zakonisht në tribunën “VIP” të “San Siros” për të ndjekur miqësoren mes kuqezinjve dhe San Lorencos, e vlefshme për trofeun “Luixhi Berluskoni”, në nder të atit tij. Sipas të përditshmes “La Gazzetta dello Sport”, ish-kryeministri italian ka munguar për shkak të angazhimeve politike.

Por, edhe pse larg stadiumit, “bosi” i Milanit nuk ka humbur rast që të flasë për ekipin e tij. Gjatë një interviste të gjatë për shtypin italian, ku në fokusin kryesor ishin debatet politike në Itali, “Kavalieri” është ndalur të analizojë dhe momentin jo pozitiv që po kalon “Djalli” në vitet e fundit.

I pyetur pse skuadra nuk po arrin të dominojë në arenën italiane dhe në atë ndërkombëtare, Berluskoni ka thënë: “Ka ndodhur se në vitet e fundit në industrinë e futbollit janë futur rusët, arabët dhe indonezianët…Personazhe me potenciale të mëdha ekonomike që kanë ndryshuar të bërit merkato, duke e prishur tregun me milionat e tyre”.

Më pas, numri një i klubit kuqezi ka zbuluar dhe projektet e tij për të ardhmen, duke theksuar se ëndërron të ndërtojë një skuadër të përbërë nga një organikë italiane: “Ju rrëfej se teksa shoh gjithë këta lojtarë të huaj që luajnë në skuadrat italiane, mbetem gojëhapur për shumicën e tyre. Më vjen shumë keq që ekipet italiane aktivizojnë 11 të huaj, që luajnë në Serinë A. Ky fakt është shqetësues dhe nuk ndodh në asnjë kampionat tjetër”.

Më pas, Berluskoni ka shtuar: “Për të ardhmen e Milanit dua një organikë të përbërë nga lojtarë të rinj dhe mundësisht të jenë të gjithë italianë. Kjo është një bazë e mirë për të ndërtuar një të ardhme të suksesshme. Sivjet kemi hapur një cikël të ri dhe ambienti është i mrekullueshëm. Jam i bindur se kjo skuadër do të arrijë të koleksionojë rezultate të kënaqshme”, – tha ai. Në fund, Berluskoni nuk ka preferuar të flasë për ndërtimin e një stadiumi të ri, duke ritheksuar se ai mbetet i lidhur ngushtë me emocionet e stadiumit “San Siro”, por për stadiumin e ri dhe aspektet financiare vendos e bija e tij, Barbara Berluskoni, që njëkohësisht është edhe administratorja e Milanit.

Lajme të ngjashme

Back to top button