Në fundjavë fillon “Gongu i Artë”

Këtë fundjavë në qytetin e Shkupit do të organizohet për të 44-tën herë me radhë turneu ndërkombëtar në boks, “Gongu i Artë”,, ku do të marrin pjesë garues nga 11 shtete.

Maqedoninë do ta përfaqësojnë nëntë boksier, ndërsa përveç reprezentuesve të Maqedonisë do të jenë edhe 50 boksier të tjerë, nga Shqipëria, Kosova, Anglia, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Romania, ndërsa pritet konfirmimi edhe nga Turqia dhe Greqia.

Këtë eveniment të madh të sportit të boksit, vite me radhë e sponsorizon Agjencioni për Rini dhe Sport, e që këtë vit ka ndarë 1.1 milion denar për organizimin e “Gongut të Artë”.

Lidhur me organizimin e këtij turneu kemi prononcimin e Faton Salihut, i cili është anëtar i këshillit organizativ dhe anëtar i jurisë profesionale, i cili mes tjerash ka thënë se ky do të jetë një turnir shumë atraktiv, ku do të lufta kualitative priten nga boksierët e Anglisë dhe ata nga Kosova e Shqipëria.

“Falënderojmë ARS-n, që e ndihmon ndër vite këtë turne dhe besoj se tani më jemi gati për të filluar evenimenti më i rëndësishëm në sportin e boksit në Maqedoni. Presim që të kemi shumë boksier kualitativ, ndërsa pres boks kualitativ nga anglezët. Paraqitje të mirë duhet të ketë boksieri kosovar Armend Xhoxhaj i cili është radhitur ndër 10 boksierët më të mirë të kategorisë gjysmë të rëndë nga AIBA. Por do të kemi boksier të mirë edhe nga Shqipëria dhe vendet tjera”, tha Faton Salihu.

Seleksionuesi Naser Haruni, tha se pret paraqitje të mirë nga të gjithë boksierët e Maqedonisë, ku ka boksier me përvojë dhe boksierë që për herë të parë do të dalin në ringun e “Gongut të Artë”.
“Nga klubi i boksit “Shkupi” do të na përfaqësojë vetëm Idriz Bislimi i cili do të boksojë në kategorinë 52kg, ndërsa Afet Hajerdini do të paraqitet në një turne tjetër ndërkombëtar që do të mbahet në Shtip” tha në fund seleksionuesi Haruni.

Në këtë turne përveç se ndahet titulli i “Gonut të Artë” për boksierin më të mirë, do të ndahen edhe çmimet për teknikun më të mirë, trajnerin, referin, si dhe për boksierin më të mirë të huaj dhe atë nga Maqedonia.

Hapja solemne dhe meçet gjysmëfinale do të jenë në program të premten me fillim nga ora 16:00 deri në orën 21:00, ndërsa të shtunën me fillim prej orës 11:00, janë në program meçet finale, ndërsa më pas pason edhe ndarja e titujve dhe mbyllja e turneut. Të gjitha luftërat do të zhvillohen në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup. / Portalb /

 

Lajme të ngjashme

Back to top button