Presidenti çek shan në transmetim live

Presidenti çek, MIllosh Zeman, ka tronditur qytetarët e vendit të tij duke sharë shpesh gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në radio.

Gjatë një interviste dhënë radios publike çeke, Zeman ka përdorur së paku tri fjalë të ndyta, ndërsa më së shumti probleme pati kur bënte përpjekje që ta përkthente emrin e grupit muzikor rus, “Pussy Riot”, kundërshtare të politikave qeveritare të Moskës.

Duke mos zgjedhur fjalët, Zeman i quante k… pjesëtaret e “Pussy Riot”, ndërsa rregullisht përdorte fjalë të ndyta kur fliste për këtë grup.

Ai gjithashtu e pyeti moderatorin e emisionit “a e din çfarë do të thotë ‘pussy’ në Anglisht”?

“Vulgariteti i Zemanit shokon”, është kryetitulli i gazetës më të madhe çeke, “Mlada Fronta Dnes”.

Titull të njëjtë ka pasur edhe gazeta tjetër, “Pravo”.

Zeman shpesh herë ka shkaktuar polemika në Çeki dhe jashtë vendit të tij prejse është zgjedhur president vitin e kaluar.

Rreth 100 persona e kanë dorëzuar ankesën te rregullatori shtetëror i Këshillit për Transmetuesit Televiziv dhe të Radios pas intervistës.

Millosh Zeman së fundi ka zemëruar shtetet arabe pasi ka thënë se Islami është fajtor për një sulm terrorist në Bruksel, ndërsa kohë më parë gjatë vizitës në Kinë kishte thënë se nuk do të donte t’i jepte leksione Kinës për të drejta të njeriut por më shumë do të donte të mesonte nga Kina “për kontrollimin e shoqërisë”.

Në internet ndërkaq ka jo pak video të Presidentit çek ku ai thuhet se është i dehur tërësisht dhe nuk mund të kontrolloj lëvizjet e trupit

Lajme të ngjashme

Back to top button