Nora Aliti: Njihja përgjegjësitë, por jo edhe të papriturat e politikës

Mes përgjegjësisë së të qenurit nënë dhe përvojës së një familjeje ku politika shtrohej që në mëngjes, Nora Aliti, hapëron drejtë përvojës së të atit. Ajo ndjen përgjegjësinë e të qenurit përfaqësuese e popullit. Përgjegjësinë  dhe përmallimin  për djalin e vogël sa herë që largohet në udhëtim, Nora i  kalon falë përkrahjes së familjes që është mësuar të jetojë me politikë. Për dallim nga politikani i regjur, Abduraman Aliti, Nora është më pak impulsive dhe jo aq bindëse sa i ati në foltoren e Parlamentit, por e drejtpërdrejtë dhe mjaftë e angazhuar nëpër komisione.

Në një intervistë për PortAlb ajo flet për gjetjet e fundit të Raportit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë, për tendencat e BDI-së për ligjin e mediave si dhe lëvizjet e reja politike shqiptare në vend.

Intervistoi : Elida Zylbeari

PORTALB: Ndjeni për së afërmi përvojën si deputete, cilët janë ndjesitë dhe pritshmëritë e të qenurit përfaqësuese në Parlament?
N.ALITI: E dija përgjegjësinë që mbart funksioni i deputetit duke pasur parasysh që atë punë e kishte babai im dhe para se të nisi aktivitetit tim e kisha idenë se çfarë do të thotë të jesh përfaqësues i popullit. Edhe pse kam menduar që më shumë do të marr pjesë në seanca plenare, tani e shoh që puna në komisione është tejet e ngarkuar. Gjithashtu, nuk e kam pritur që do të udhëtoj kaq shumë dhe do të jem larg djalit me ditë të tëra. Megjithatë, në këtë drejtim kam mbështetjen e familjes.

PORTALB: Po nga aspekti politik?
N.ALITI:
Mendoja që gjithnjë do të duhej të shprehet vetëm qëndrimi partiak dhe të jesh gjithnjë në ato korniza. Por u befasova për të mirë kur pash që mendimi ndryshe dëgjohet, madje dhe nxitet.

PORTALB: Si i keni raportet me VMRO, a ka koordinim ne nivel të koalicionit qeveritar?
N.ALITI: Komunikim ka në nivele të ndryshme dhe mund të them që është korrekt. Në nivel të deputetëve ne shkëmbejmë mendime dhe konkluzione. Ndërkaq në nivel më të lartë koordinimin e bëjmë ata që janë në Kryesinë Qendrore.

PORTALB: Cilat janë gjetjet kryesore te këtij progres raporti?
N.ALITI: Rekomandimi nuk ishte dhënë dhuratë por si rezultat i përmbushjes së kritereve. Ka kritika dhe rekomandime për ti adresuar problemet tona kyçe: liria e shprehjes dhe mediave, dialogu ndër-etnik, pavarësia e gjykatave, korrupsioni. Thirrja kryesore e këtij raporti është të ringjallet dialogu politik sepse pa të nuk mund të realizojmë reformat e duhura. Edhe pse ne vazhdojmë me reformat ata nuk janë të prekshme dhe të qëndrueshme. Duhet të ndërtohet një dialog gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm. Për momentin, Maqedonia nuk është në një situatë normale por është në një krizë politike që duhet të tejkalohet jo vetëm me kthimin e LSDM-së në Kuvend por edhe me punë të mëtejme demokratike.

PORTALB: A e arsyetoni ju bojkotin e LSDM-së ?
N.ALITI:
Bojkoti është e drejtë e tyre demokratike po mendoj që nuk u shkon në favor as interesave të tyre më të ngushta partiake. Sidoqoftë, ata duhet të kthehen në Kuvend, të bashkëpunojnë së paku për gjërat madhore, si që janë euro-integrimet sepse ata këtë ia kanë premtuar elektoratit të tyre. Nëse e botojnë vetëm Parlamentin ata duhet të jenë prezent në Këshillin Nacional për euro-integrime që nuk është trup punues i Parlamentit. Procesi i euro-integrimeve ka agjendë mbipartiake dhe duhet të depolitizohet.

PORTALB: A mendoni se ka dallime se si e lexojnë progres raportin deputetet e BDI dhe VMRO?
N.ALITI:
Nuk mund të them se çdo dokument lexohet njëjtë. Në mbledhjen e përbashkët në komisionin për politikë të jashtme, për euro-integrime dhe Këshillin nacional dolën disa konkluzione dhe një ndër to është se Raporti është një pasqyrim i saktë dhe i qartë i gjendjes së përmbushjes së reformave në vend. Ky konkluzion u votua në Parlament. Të gjithë dakordohemi se është real ndërsa interpretimi dallon në gjetjen e arsyeve pse jemi në këtë gjendje.

Elida Zylbeari dhe Nora Aliti
Elida Zylbeari dhe Nora Aliti

PORTALB: Si mendon BDI të kontribuojë konkretisht në tejkalimin e problemeve qe evidentohen në raport?
N.ALITI: Të gjitha aktivitetet ndërmerren nga ekzekutivi dhe secila ministri ka detyrat e saj që koordinohen nga Sekretariati për çështje evropiane i udhëhequr nga Fatmir Besimi. Do të ketë reforma madhore në gjyqësor. Ta themi troç, ne jemi vonë në procesin e euro-integrimeve. Por nuk duhet të kemi prirje t’i shohim gjërat vetëm negativisht. Në aspektin rajonal ne ishim lider dhe tani nuk jemi, kjo është fakt. Por gjithashtu është fakt se në këtë raport sa i përket reformave, ne ishim të tretat pas Malit të Zi dhe Serbisë, pas neve mbeti Shqipëria. Domethënë nuk është aq zi sa kemi prirje ta bëjmë.

PORTALB: Kritikat më të mëdha janë për mediat, sa  i ndjenë  BDI këtkritika?
N.ALITI:
Pritet që Ligji për media të jep rezultatet e pritura, sa i përket transparencës së ndarjes së parave në lidhje me reklamat qeveritare, në cilët mediume shkojnë paratë e qeverisë. Vetë përkufizimi në raport se mediat janë nën ndikimin e politikës, do të thotë që demokracia e një vendi është në rrezik. Megjithatë, më gëzon fakti që zv/kryeministri Fatmir Besimi ka pasur disa debate me mediat dhe me organizatat mediale dhe do të përpilohet një plan aksionar si të veprohet më tej.

PORTALB: Por, plane aksionare ka pasur çdo vit ndërsa situata është bërë me keqe. Madje, deputetja e BDI-së  tha në seancë plenare se duhet të futen edhe portalet në Ligjin për media, a do të thotë që partia juaj ka tendencë të tillë?
N.ALITI: Ju duhet të kuptoni se deputetet e reja nuk paraqesin çdo herë domosdoshmërish qëndrimin partiak. Ata japin edhe qëndrime individuale. Për prirjet e BDI-së ndaj mediumeve flet vet fakti që BDI ishte ajo parti që bllokonte ligjin për të mos i futur portalet në të. Ne duhet të fokusohemi që bashkërisht t’i arrijmë qëllimet tona. Marrëdhëniet me mediat i shoh si një formë partneriteti.
Periudha që ka kapluar ky raport ka qenë turbulente për Maqedoninë. Kishim zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ata presidenciale. Gjatë kësaj kohe fokusi nuk ishte te reformat por te fushata partiake. Më pas ndodhi bojkoti i LSDM-së si dhe përleshja fizike në Parlament. Domethënë kemi një shkëputje të madhe nga reformat dhe në raste kur nuk kemi dialog politik nuk mund të realizosh në tempo më të shpejtë reformat e planifikuara.

PORTALB: Duket se  çdo vit ecim në rrugën e BE-së, tani kemi rrezik ta humbim edhe rekomandimin. Si mund BDI ta lejojë këtë, kur në çdo proces zgjedhor premton euro-integrim?
N.ALITI:
Edhe pse nuk pritet të përcaktohet data as në dhjetor, mund t’ju siguroj se BDI është shumë aktive edhe në planin e politikës së jashtme por edhe për zgjidhjen e çështjes së emrit. Presim disa ndryshime në këtë drejtim. Ne me seriozitetin më të madh u jemi qasur euro-integrimeve sepse këtë e dëshirojnë qytetarët që ne i përfaqësojmë, por duhet të keni parasysh se në Maqedoni nuk është vetëm BDI dhe shqiptarët. Integrimi është një proces gjithëpërfshirës, të duhet edhe opozita edhe komuniteti i biznesit, OJQ-të. Nëse nuk janë të gjithë bashkë, është vështirë vetëm njëri ta shtyjë agjendën integruese.

PORTALB: A është çështja e emrit i vetmi hendikep për hapjen e negociatave?
N.ALITI:
Nuk jam dakord për ta parë problemin jashtë nesh, jo se nuk i njoh vështirësitë dhe barrën që e kemi nga çështja e emrit por nuk dua dhe refuzoj që ta shndërrojmë këtë çështje në një fajtor kujdestar për mos-përmbushjen e reformave të nevojshme për BE-në. Duke shikuar nga Greqia nuk duhet ta humbin fokusin për gjërat që duhet bërë.

PORTALB: Thuhet se BDI ka nis të frikësohet nga lëvizja e Selës dhe lëvizja e re “Besa”. Sa është i saktë ky konstatim? Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë?

N.ALITI: Lëvizja nuk krijohet por ndodh. “Besa” mund të jetë një parti politike por jo lëvizje. Në Maqedoni nuk ka hapësirë për parti të reja politike sepse përçajnë votën dhe humbim ne shqiptarët. Më shumë do të humbim se do të fitojmë. Ndërkaq, nuk na frikon reformimi që po bën Sela, por në të kundërtën është mirë të kemi një opozitë të fuqishme.

PORTALB: Çfarë do të bëni ju konkretisht për përmirësimin e pozitës së grave në Maqedoni?
N.ALITI:
 Dihet se është më vështirë të jesh femër politikane sepse gjithnjë ekzistojnë tendenca diskriminimi nga vet gjinia. Vetëm pse je femër nuk të vlerësohen argumentet. BDI me anë të vendosjes së kuotave për femrat, e ka rritur numrin e grave shqiptare në politikë. Kuptohet, kjo nuk është zgjidhje ideale, megjithatë është zgjidhje e mirë. Kam ndërmarrë iniciativë për ri-ngjalljen e Klubit të femrave në Parlament.

PORTALB: Ju vazhdoni linjën politike te familjes dhe dihet se jeni vajza e një politikani të njohur Abdurahman Aliti, çfarë keni trashëguar nga përvoja politike e të atit?
N.ALITI:  Është përgjegjësi dhe njëkohësisht përparësi të jesh vajza e Abdurahman Alitit. Madje mendoj që është më shumë përgjegjësi sepse pritjet janë shumë të larta nga unë. Ai vendosi bazat e Maqedonisë pluraliste duke qenë edhe lider i partisë së parë shqiptare në vend. Unë mundohem që nëse asgjë tjetër, mos ta njollos emrin e tij. Nga ai kam mësuar shumë gjera por do të veçoja këtë: që mos të ndryshoj qëndrimin tim varësisht nga rrethi ku gjendem ose kë kam përpara. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button