Maqedonia drejt zgjedhjeve të reja parlamentare?

Procedurën për heqjen e mandateve të deputetëve të koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja opozitare, Parlamenti do ta fillojë në javën e parë të muajit nëntor, kur edhe skadon afati për mungesë të paarsyeshme të deputetëve opozitarë në séance, transmeton DW.

Njohësit e çështjeve politike nuk përjashtojnë mundësinë që pas kthimit të 31 mandateve të deputetëve nga ana e opozitës maqedonase, në Maqedoni të ketë zgjedhje të parakohëshme apo të pjesërishme parlamentare, për vendet e zbrazura të deputetëve të LSDM-së

“ Numri me të cilin manipulohet për kthimin e mandateve, është spekulim pa pikë turpi dhe gënjeshtër e kulluar.Shumica parlamentare është fajtorja e vetme për konfuzionin juridik dhe politik në të cilin ndodhet Parlamenti i Maqedonisë”, thotë Shilegov.

Qëndrimi i paluhatur i opozitës maqedonase për të bojkotuar deri në fund punimet e Parlamentit, ka dështuar edhe përpjekjet e ndërkombëtarëve por edhe thirjet e Brukselit për kthimin e opozitës në Parlament. Jo vetëm në Raportin e Progresit por edhe vetë zyrtarë të lartë të BE-së, kanë përsëritur disa herë se është përgjegjësi e përbashkët e Qeverisë dhe opozitës që të sigurojnë që debati politik të zhvillohet në Parlament, madje pushteti duhet t’i mundësojë opozitës të përmbushë rolin e saj brenda institucioneve.

Është e drejtë absolute e LSDM-së të vendosë se si do të veprojë brenda apo jashtë institucioneve, por opozita nuk mban aspak llogari për imazhin e Maqedonisë në skenën ndërkombëtare, thotë nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së , Antonio Milloshovski. “ Bojkoti i LSDM-së dhe sjellja e tyre, po i bëjnë dëm të madh imazhit të Maqedonisë në skenën ndërkombëtare. Me këtë bojkot po diskreditohet kapaciteti politik i Maqedonisë “, thotë Milloshovski.

Pozita e Maqedonisë në Bruksel është e ndërlikuar. Bllokada që bëhet nga ana e Greqisë për antarësimin e vendit në strukturat euro – atlantike, e bën situatën edhe më të ndërlikuar, ndërsa udhëheqësia e LSDM-së opozitare vazdhon ta rëndojë edhe më shumë pozitën e vendit në institucionet në Bruksel, vlerëson Antonio Milloshovski.

Në Maqedoni dialogu është zëvendësuar me monolog

Analistët politikë vlerësojnë se çështja e fillimit të dialogut politik mes pozitës dhe opozitës, është lënë në harresë. Dy partitë më të mëdha maqedonase, komunikojnë me antarësinë e vet por jo edhe mes tyre . Ato në vend që të zhvillojnë dialog, po bëjnë monolog .

“ Pushteti në këtë moment nuk po shpreh gadishmëri për fillimin e dialogut. Opozita ofron zgjidhje për të mos hyrë në dialog dhe kështu të dy partitë , janë ‘barrikaduar’ në pozicionet e veta. Ata në terren punojnë për elektoratin dhe partinë e tyre dhe jo për interesat strategjike të vendit”, shprehet analisti politik Sasho Klekovski. Gjithnjë sipas tij, problemi me dialogun politik në Maqedoni është shumë më serioz sesa duket në pamje të parë. Gjithnjë e më shumë po insistohet në mosgjetjen e kompromisit dhe në politikën e humbësit dhe fituesit , vlerëson Klekovski.

Profesori universitar Goran Iliç, thotë se marrë në përgjithësi opozita në Maqedoni është pasive , ndërsa veprimi i saj jashtë institucional është i padukshëm. Me këto hapa opozita e relativizon fuqinë e saj politike dhe aftësinë për të stimuluar mendimin publik

“Nuk ekziston komunikim demokratik, nuk ekziston proces politik demokratik, nuk ekziston fare proces dhe ky është problemi kryesor në Maqedoni”, shprehet Iliç.

“Paralajmërimi i mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është reflektim apo ma mire thënë mungesë e gatishmërisë së partive politike për të kapërcyer bllokadën në të cilën ndodhet për momentin Parlamenti.Nuk mund të ketë zgjidhje kur partite më të mëdha maqedonase nuk lëvizin nga pozicionet dhe nuk janë të gatshme për compromise”, thotë analisti Albert Musliu .

Opozita shqiptare kthehet në Parlament

Pas bojkotit dy mujor, grupi parlamentar i PDSH-së opozitare është rikthyer në punimet e Parlamentit. Sipas liderit të PDSH-së Menduh Thaçi, vendimi për kthimin në Parlament vjen pas insistimit të faktorit ndërkombëtar por edhe siç shprehet ai, për faktin që PDSH nuk dëshiron të jetë alibi e qeverisë për krizën politike në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button