“Djajtë” e korrupsionit në Maqedoni!

Shkupi dhe Zagrebi i qasen në mënyra të ndryshme luftës kundër korrupsionit. Përderisa në Zagreb arrestohet kryetari i kryeqytetit kroat, Milan Bandiç meqë dyshohet se ka kryer veprime korruptive dhe ka keqpërdorur pozitën e tij sa i përket lejeve të ndërtimit, në Shkup arrestohen ish deputetë të opozitës maqedonase, ish funksionarë në Ministrinë e Mbrojtjes (MM) dhe disa biznesmenë. Të gjithë ata janë në mesin e 9 të arrestuarve në aksionin e madh të policisë maqedonase të koduar me emrin “Arsenal”. Dyshohet se në kohën kur opozita ka qenë në pushtet, kanë manipuluar me fonde buxhetore, duke paraqitur shuma më të larta se realet për meremetimin e pajisjeve ushtarake, duke e dëmtuar buxhetin me rreth 2,5 milion dollarë. Para disa javësh në Maqedoni, 25 persona nga Gjykata Themelore Shkupi 1–Sektori për kundërvajtjeprej të cilëve 13 gjykatës dhe 12 nëpunës u arrestuan për shkak të keqpërdorimit të detyrës, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit.

Sipas OJQ “Transparenca”, Komisioni i Antikorrupsionit nuk ngrit procedura për shpenzimin e “shfrenuar” të parave të popullit për realizimin e projekteve joproduktive dhe korruptive, e veçanërisht lidhur me qindra milionat e eurove për realizimin e projektit kontravers “Shkupi 2014” dhe praktika tjera korruptive. Por përkundër kësaj KA interes të madh ka treguar për gjendjen në OJQ-të dhe mediat, që nuk mbështesin politikën qeveritare.

Por këto raste a janë të mjaftueshme që të konstatohet se Maqedonia lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin? Ambasadori amerikan në Shkup, Pol Volers është shprehur se në Maqedoni nuk është dënuar askush për korrupsion. “Në Maqedoni gjatë vitit 2013 Komisioni i Antikorrupsionit ka hulumtuar 228 raste. Vetëm shtatë veta u akuzuan dhe prej tyre nuk u dënua askush. Kjo do të thotë se korrupsioni në Maqedoni është i barabartë me zero dhe kjo nuk është qesharake, por më shumë është e dhimbshme”, theksoi Volers.

Kritikat ndërkombëtare

Të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare relevante, evropiane dhe amerikane, por edhe sipas organizatave joqeveritare vendore thonë se korrupsioni është shumë i përhapur dhe paraqet problem serioz.

Komisioni Evropian (KE) në raportin e fundit konstaton se kapaciteti i plotë i gjykatave për ballafaqim me rastet e korrupsionit edhe më tej është i dobët, sidomos në aspektet të rasteve të nivelit të lartë, ku procedurat janë të gjata dhe joefikase.

Në hulumtimin e QMBN-së thuhet se sipas perceptimit të qytetarëve doganierët, gjyqtarët, ministrat dhe inspektorët tatimorë janë më të korruptuarit, por sipas përvojës apo korrupsionit real profesionet më të korruptuara janë mjekët, autoritetet lokale, nëpunësit policorë dhe profesorët universitarë.

Organizatat Joqeveritare dhe Komisioni për Antikorrupsion

Komisioni i Antikorrupsionit (KA)  në një deklaratë  thotë se nuk është polici ,gjykatë e as prokurori.Edhe Organizata Joqeveritare “Transparenca” akuzon Komisionin e Antikorrupsionit (KA) se nuk tregon interes dhe nuk inicon ngritjen e procedurave për dyshimet serioze për skandale të shumta korruptive lidhur me furnizimet publike, mosparaqitjen ose paraqitjen jo të plotë të gjendjes pronësore të funksionarëve shtetërorë, lidhur me pasurimin e bartësve të funksioneve të strukturës udhëheqëse me prona të shumta, që është në disproporcion të madh me të ardhurat e tyre mujore.

Për veprimin e Komisionit Shtetëror për pengimin e korrupsionit duhet thënë se kompetencat e saj në pjesën më të madhe janë të karakterit preventiv, ndërsa nga ai represiv janë ngritja e nismave për hapjen e procedurës për ndjekje penale, kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse dhe vërejtja publike”.

“Komisioni nuk është polici, gjykatë e as prokurori dhe vepron në bazë të kompetencave të tij ligjore, në mënyrë joselektive dhe duke shfrytëzuar kapacitetet me të cilat disponon”, thuhet në deklaratën me shkrim të Komisionit për Inbox7.

Pas kritikave të drejtpërdrejta edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pohon se lufton kundër korrupsionit dhe krimit. Sipas të dhënave që i ka prezantuar MPB nga viti 2008 deri në përfundim të vitit 2013 janë dokumentuar dhe procesuar 500 raste të krimit financiar dhe veprave penale korruptive, të cilat e kanë dëmtuar buxhetin me 311 milion euro, ndërsa në këto raste akuzohen 1470 persona, midis të cilëve ka nëpunës, drejtues të sektorëve, drejtorë, ish kryetarë komunash, ish ministra dhe një ish kryeministër, që është Vllado Buçkovski.

Gazetari i Programit në Gjuhën Shqipe të TVM-sëShpëtim Nuredini vlerëson për Inbox7 se ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Pol Volers, në fakt, ngriti shqetësimin e tij dhe të shtetit që përfaqëson për nivelin e lartë të korrupsionit dhe luftën joefikase kundër kësaj dukurie në Maqedoni, bazuar vetëm në të dhënat zyrtare për nismat që janë ngritur deri te organet kompetente dhe epilogu i tyre i barabartë me zero. “Administrata amerikane, fillimisht përmes Nuland, më pas përmes ambasadorit Volers paraqitet si një kambanë alarmi për të vetëdijesuar pushtetin se është nën vëzhgim, por edhe për të zgjuar shoqërinë në Maqedoni për “rrezikun” që i kanoset demokracisë dhe vetë qytetarëve të saj, nga plaçkitja e fondeve publike pikërisht nga njerëzit që ata i kanë zgjedhur”, komenton Nuredini, i cili dyshon se “rastet e rralla të arrestimit apo dënimit të ish zyrtarëve të korruptuar kanë për qëllim luftimin e korrupsionit”.

Ato shpesh herë bëhen për hakmarrje politike, për t’i treguar opinionit se kush është “djalli” dhe se ata po luftojnë korrupsionin. Madje ka raste të cilat ruhen në sirtar dhe aktualizohen kur pushteti ka nevojë të shpërqendrojë opinionin nga dështimet e tij. Rasti më i freskët është arrestimi i disa gjykatësve, ditën kur u prezantua Raporti i Progresit, i pari me tone aq kritike dhe të drejtpërdrejta për pushtetin”, vlerësoi gazetari Nuredini.

Çfarë tregojnë hulumtimet?

Nivelin e lartë të korrupsionit në Maqedoni e vërtetoi edhe hulumtimi i opinionit publik i realizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Emina Nuredinovska është përgjegjëse e projektit për luftë kundër korrupsionit. Për Inbox7 ajo konstaton se deklarata e Volersit ka të bëjë vetëm me rastet që janë paraqitur në Komision Antikorrupsion (KA) dhe paditë nga ky komision deri te Prokuroria Publike (PP).

Prokuroria Publike mund të veprojë edhe lidhur me paditë nga organe tjera të administratës së shtetit dhe me nisma të saj, por gjithsesi brengos fakti që nuk ka asnjë përfundim të rasteve të ngritura nga Komisioni i Antikorrupsionit, ndërsa edhe për rastet tjera pak dihet ose flitet. Është fakt që në Maqedoni nuk ka aktakuza, e aq më pak vendime përfundimtare gjyqësore për korrupsionin e funksionarëve të lartë, siç është rasti me vendet në rajon”, sqaron Nuredinovska.

Por hulumtimi ka treguar se korrupsioni nuk është problemi më serioz i qytetarëve dhe i njëjti nuk është në mesin e tre problemeve më serioze, të cilat në fakt janë papunësia, varfëria, të ardhurat e ulëta dhe çmimet e larta.Sipas perceptimit të qytetarëve doganierët, gjyqtarët, ministrat dhe inspektorët tatimorë janë më të korruptuarit, por sipas përvojës apo korrupsionit real profesionet më të korruptuara janë mjekët, autoritetet lokale, nëpunësit policorë dhe profesorët universitarë.

Qytetarët konsiderojnë se korrupsioni në masë të madhe ka hyrë në administratën publike. Rreth 20 % e qytetarëve të anketuar mendojnë se të gjithë nëpunësit shtetërorë janë të përzier në korrupsion, ndërsa 42 % mendojnë se pjesë më e madhe janë të përzier në këtë dukuri”, thekson Nuredinovska,  duke u bazuar në rezultatet e hulumtimit të opinionit publik.

Ndërkohë Shpëtim Nuredini vlerëson se luftimi i mirëfilltë i korrupsionit fillon me vullnetin e mirë politik, nisur nga zyrtarët e korruptuar në pushtet dhe duke përfunduar me ish zyrtarë. Sipas tij edhe ata pak njerëz apo subjekte të guximshme që mund të kenë prova apo edhe të dyshojnë për raste korrupsioni dekurajohen që të denoncojnë personat e korruptuar si pasojë e dështimit të denoncimeve për korrupsion të zyrtarëve në pushtet dhe dënimit të denoncuesve për shpifje, dëmtim të imazhit, dëm politik, apo shkaktimin e vuajtjeve shpirtërore. “Në Maqedoni flitet për raste korrupsioni me para në dorë edhe pse shumë më i rrezikshëm rezulton të jetë korrupsioni me shërbime, siç është financimi i partive dhe fushatave zgjedhore nga subjekte afariste, të cilët për këmbim “fitojnë” tenderët pa kushte; ose korruptimi i mediave me reklama qeveritare, të cilat gjatë gjithë mandatit jo që nuk hulumtojnë rastet e korrupsionit, por ndodh që të jenë pjesë e zinxhirit të korrupsionit të organizuar”, thotë  Nuredini.

Qytetarët pesimistë, korrupsioni do të jetë i pranishëm

Por në gjithë këtë situatë ai sheh anën e vetme pozitive tek ndjekja dhe arrestimi i ish funksionarëve. Sipas tij nëse deri tani partitë politike sikur kishin një marrëveshje të heshtur që luftën politike të mos çojnë pas grilave, arrestimet e ish zyrtarëve politik për korrupsion japin shpresë se kurdo me rotacionin e pushtetit pas grilave do përfundojnë shumë zyrtarë aktual të korruptuar. Që s’janë të gjithë engjëj tanimë është e sigurt. E pranoi edhe vetë pushteti ekzekutiv”, thotë Nuredini.

Ndërkohë hulumtimi nga QMBN-ja tregon se qytetarët nuk janë shumë rezistues ndaj korrupsionit përkatësisht presioni korruptiv është i madh.

Nga 46% e atyre që kanë pasur kontakt me administratën, 25,6 % u është kërkuar të japin një lloj mitoje, prej të cilëve 21.5 % edhe e kanë bërë atë, që do të thotë se 4,5 % nuk kanë pranuar që të japin ryshfet apo mito kur u është kërkuar “, theksoi Nuredinovska.

Ky hulumtim ka treguar se qytetarët janë pesimistë kur është në pyetje lufta kundër korrupsionit, pasi 60 % e të anketuarve konsiderojnë se korrupsioni çdoherë do të jetë i pranishëm në Maqedoni./Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button