Identifikohen eshtrat e Isa Boletinit
Heroi mbarëkombëtar më në fund do të prehet i qetë në vendin e tij të lindjes. Pas tre vitesh ekzaminimesh, që u nisën nga institucionet vendore, vërtetësia e eshtrave të Isa Boletinit përfundimisht u konfirmua në Strasburg. Këtë e thonë edhe dokumentet të cilat siguroi Klan Kosova.
Kjo, pasardhësve të heroit nga Boletini i Mitrovicës, u solli gëzim të madh.
“Boletinët janë të shpërndarë anembanë, e me 28 nëntor do të bëhen bashkë prapë”, thotë Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit
Kthimi i Boletinit në vendin e tij lindjes, është lajm edhe më i lumtur për imamin nga Mitrovica, që i solli dhe ruajti eshtrat e tij dhe gjashtë personave të tjerë që nga viti 1998.
Ai i varrosi ato njëherë në mënyrë sekrete.
“Pesë vjet ma vonë kemi qenë gati me ceremoni me i i varros, po tash Isa ka mu ngjallë prapë kur kthehet në kullën ku ka lind…”, thotë Osman Hasani, imam nga Mitrovica
Për organizimin dinjitoz të varrimit të heroit, do të përkujdeset kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Për këtë qëllim, ky kohë më parë ishte takuar me qeveritarët nga Shqipëria për të planifikuar këtë ceremoni.
“Bisedat kanë qene me u nis nga Vlora, me kalu në Prizren, deri te stadiumi olimpik i Mitrovicë”, thotë ai.
Për organizimin e varrosjes së eshtrave të Isa Boletinit, Bahtiri e pasardhësit e heroit, të enjten do të takohen me ministrin në detyrë të Kulturës, Memli Krasniqi. /Klan Kosova/