Shkolla e mesme “Gjoçe Stojçeski” në Tetovë, gati kërkesa për ndërrimin e emrit

Pas iniciativës për ndërrim të emrit të shkollës së mesme “Mosha Pijade”, një kërkesë të tillë ka përgatitur edhe shkolla e mesme e tekstilit “Gjoçe Stojçeski”, e cila pas dështimit të dy kërkesave të para, një në vitin 2006 dhe një në 2010, komunës së Tetovës do i drejtohet edhe me kërkesën e tretë për ndërrimin e emrit të shkollës. Drejtori i shkollës tekstile Abaz Abazi është shprehur se në mbledhjen e ardhshme të këshillit komunal, kërkesa do iu dorëzohet për t’u vendosur në rend dite, transmeton Alsat.

“Mendoj se kërkesa mundet në kohë, pra para caktimit të rendit të ditës dhe datës së mbajtjes së seancës së këshillit të komunës të kompletohet kërkesa për ngritje të iniciativës nga ana e këshillit për ndryshim të emrit të shkollës sonë. Mund të formësohet kërkesa të protokollohet dhe të arrijë në këshillin e komunës së Tetovës përmes sektorit për veprimtari publike të komunës së Tetovës. Sa iu përket dy kërkesave paraprake njëra në 2006 dhe tjetra në 2010 nuk kemi pasur informatë kthyese por gjithnjë na është thënë se në kohën e përshtatshme në koordinim me faktorët e këshillit do vihet në rend dite dhe do të kërkohet një zgjidhje e mundshme për problemin në fjalë por ne si shkollë nuk kemi pasur informatë kthyese se përse nuk është vënë në rend dite”, deklaroi Abaz Abazi. Drejtor i Shkollës së Mesme e Përgjithshme ‘Gjoçe Stojçevski’.

Nga këshilli i prindërve dhe arsimtarëve të kësaj shkolle, do i drejtohen këshillit komunal edhe me propozime konkrete për emra si “7 Marsi”, “13 Gushti” apo “Tetova”, por sipas drejtorit të shkollës, do jetë i mundshëm edhe ndonjë emër tjetër i propozuar nga këshilli komunal, mjafton që ai t’iu përgjigjet përqindjes së nxënësve dhe realitetit të sotëm. Komuna nuk jep prononcim.

Shkolla e mesme tekstile, ka mbi 90 % nxënës shqiptarë në përbërje, ndaj kjo është edhe arsyeja kryesore e kërkesës së prindërve dhe nxënësve që kësaj shkolle t’i hiqet emri “Gjoçe Stojçeski”, për të cilin edhe mësuesit dhe profesorët nuk kanë dijeni.

Lajme të ngjashme

Back to top button