Dikur tekstshkrues, tani edhe këngëtar

Që kur ishte i vogël në moshë i kishte lindur dëshira që t’i përkasë botës së muzikës. Është ky tekstshkruesi Endrit Mumajesi, i cili përveç që i kontribuon skenës muzikore me tekste për kolegët e tij, ai ka vendosur që të sjellë edhe këngën e tij të parë. Në një intervistë për gazetën Tribuna, Endriti ka folur edhe rreth promovimit të artistëve nëpër festivale, vlerën e muzikës në ditët e sotme dhe për shumëçka tjetër.

Pas lansimit të këngës “Gun of love“, këngëtari Endrit Mumajesi do të vazhdojë të sjellë edhe shumë këngë të tjera. Kështu së paku ka konfirmuar vetë ai gjatë një bisede për gazetën Tribuna ku ndër të tjera ka përmendur historitë e dashurive që i kanë përjetuar njerëzit nga të cilët ai rrethohet, histori këto që janë edhe frymëzim që ai gjithmonë të vijë me tekste të mrekullueshme të këngëve. Po ashtu, Endriti ka folur edhe synimet e tij në karrierë, si dhe për jetën e tij private.

Tribuna: Endrit, fillimisht më tregoni diçka më shumë rreth projektit tuaj më të ri. Me kë keni punuar për këngën dhe klipin?

Mumajesi: Në historinë e këngës bëhet fjalë për një femër që mban dy lidhje paralele. Njëkohësisht kërkon dhe mashkullin e fortë dhe të ftohtë dhe atë të butin të bukurin, romantikun. Të dy janë viktima të tradhtisë dhe pastaj ndodh ajo që ndodh. Ajo që dua të them për këngën është që uroj të kuptohet mesazhi që ka në të . Është një realitet dhe një fenomen që ka ndodhur shpesh në vendin tonë dhe për fat të keq kam besimin se do vazhdoj të ndodhë. Kënga titullohet “Gun of love “ apo “Arma e dashurisë”. Është sa filozofike dhe po aq e thjeshtë e reale, sepse ato nuk kanë dallim nga njëra- tjetra. Me armën mund të vrasim të tjerë, mund të vetëmbrohemi ose mund të vrasim veten, e kështu njëjtë mund të vrasim dikë duke e gënjyer, mund të mbrojmë veten duke mos dashur asnjë, ose mund të vrasim vetëm duke dashur shumë. Tradhtisë jo të gjithë i reagojnë me largim. Kjo është ajo realja që kam dashur të sjell për njerëzit. Kënga është produksion i studios ‘Ermal Mamaqi Production’, ku kompozimi dhe orkestrimi është krijim i kompozitorit, Marsel Gunga.

Tribuna: Pasi që keni filluar edhe si interpretues, a nënkupton kjo që do të punoni në mënyrë më intensive rreth krijimit të këngëve tuaja?

Mumajesi: Fakti që kam shkruar shumë këngë është sepse unë kam kënduar që i vogël, por nuk kam dashur të dal si këngëtar pa u ushtruar dhe të jem në nivelin që mendoj se duhet të jetë dikush për t’u afirmuar e për të marrë atë vlerësim që unë pres të marr, por që normalisht do vazhdoj të sjellë dhe këngë të tjera.

Tribuna: Kur do të vijë bashkëpunimi i parë dhe më kë preferoni ta sillni atë?

Mumajesi: Besoj se dhe kënga e radhës do të jetë bashkëpunim, por nuk i dihet t’ia lemë kohës .

Tribuna: A mendoni që veten tuaj të vazhdoni ta promovoni edhe përmes festivaleve?

Mumajesi: Për momentin si kam shkuar planeve kaq larg që të mendoj 2 ose 3 këngë para festivale ose koncerte, sepse për momentin dua thjeshtë të bëj këngë të bukura të pëlqehen nga shumica e njerëzve. Besoj se dalëngadalë do bëhem pjesë dhe e festivaleve e koncerteve.

‘Nuk ka kohë për dashuri’

Tribuna: Jeni edhe tekst shkrues. Ku frymëzoni përshkrimin e një teksti për kolegët tuaj?

Mumajesi: Di aq shumë histori dashurie nga njerëzit që më rrethojnë ose që më tregojnë, saqë dy jetë të jetoja muzikë do mjaftonin ato subjekte këngësh (qesh).

Tribuna: A do të shndërrohet muzika si profesioni i juaj?

Mumajesi: Tashmë e kam profesion.

Tribuna: Muzika sot, vlerë artistike apo biznes?

Mumajesi: Është gjysmë për gjysmë mendoj.

Tribuna: Në cilin zhanër muzikor nuk do e gjeje vetën asnjëherë?

Mumajesi: Në opera.

Tribuna: Cilët janë synimet tuaja të mëtutjeshme në karrierë ?

Mumajesi: Synimet e mia siç e thashë, dua vetëm që si këngët dhe tekstet të vlerësohen e të pëlqehen. Synimi im është cilësia dhe bërja e një pune të mirë .

Tribuna: A ka diçka nga jeta private që do e ndanit me fansat tuaj?

Mumajesi: Nga jeta private nuk kam asgjë, sepse dita na ikën në punë (qesh).

Lajme të ngjashme

Back to top button