Hoxhaj në Beograd: Kosova në 3-5 vitet e ardhshme mund të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar sot në Beograd se Kosova në tre deri pesë vitet e ardhshme është e gatshme të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, duke pohuar se “dialogu nuk mund të jetë proces pa përfundim dhe qëllim të qartë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Hoxhaj gjatë kohës së pushimit në takimin rajonal të ministrave të Ballkanit perendimor theksoi se ky dialog duhet të përfundojë me një marrëveshje paqësore, por se është më e rëndësishme që mes dy shoqërive të ekzistojë një dialog që do të na çonte drejt pajtimit. “Marrëveshja e paqes duhet të përfshijë Kosovën si shtet të pavarur, gjë e cila do ta lejonte Kosovën që të ketë misione në Kombet e Bashkuara, të anëtarësohet në organizata të ndryshme rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, ka thënë kreu i diplomacisë kosovare, duke theksuar se kjo marrëveshje me qëndrimet e BE-së duhet të jetë ligjërisht i detyrueshme.

Hoxhaj pjesëmarrjen e zyrtarëve kosovarë në konferencën e Beogradit e vlerësoi si transformim ndërmjet dy shteteve. “Pjesëmarrja e ministrave kosovar në një takim të tillë do të ishte shumë larg nga realiteti po të kishte ndodhur disa vite më parë. Në të njëjtën kohë ky takim tregon se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm”, tha Hoxhaj, duke shtuar se gjatë takimit ka shprehur qëndrimin se Kosova është e gatshme të vazhdojë me dialogun në mënyrë që të përmirësohen marrëdhëniet me Serbinë.

Duke folur për marrëdhëniet në rajon ministri kosovar vlerësoi se nuk sheh përparim në marrëdhëniet mes dy entiteteve në Bosnje dhe Hercegovinë, por se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të ecin përpara. “Kosova është shtet i pavarur, dhe do të jetë përgjithmonë e pavarur. Ne lëvizim drejt rrugës evropiane, kjo do të jetë e mirë për Serbinë, Kosovën, rajonin dhe do të jemi shumë të kënaqur kur në vitin 2020 të hapen mundësi të reja për anëtarësim në BE”, ka theksuar ministri Hoxhaj sot në Beograd.

Duke theksuar se Kosova do të ketë gjithnjë e më shumë njohje dhe anëtarësim në institucionet ndërkombëtare Hohxaj pohoi se vendi i tij do të forcojë njohjet ndërkombëtare. Sipas fjalëve të tij, Serbia duhet të ketë mirëkuptim dhe të mos bllokoj pjesëmarrjen e klubeve sportive në garat ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve kosovarë në manifestimet kulturore në botë.

“Nëse ndokush ka mundur ta pranoj ministrin e Kosovës në Beograd, nuk duhet të ketë probleme për pjesëmarrjen e sportistëve, ata nuk janë politikan dhe meritojnë të jen aty ku duhet të garohet”, përfundoi shefi i diplomacisë kosovare.

Në Beograd sot zhvillohet takimi joformal i ministrave të punëve të jashtme dhe ekonomisë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, me temën “Menaxhimi Ekonomik dhe Ndërlidhja”.

Në takimin marrin pjesë zëvendës presidenti i Komisionit Evropian dhe Komisioneri për çështje ekonomike dhe monetare, Jirki Katainen, komisioneri në largim për zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule, i dërguari special i kryesisë italiane me BE-në, Andrea Oricio si dhe Përfaqësuesi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Goran Svilanoviç.

Për herë të parë në takimin në Beograd marrin pjesë dhe ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj dhe ai i zhvillimit ekonomik Fadil Ismajli. Republikën e Serbisë do ta përfaqësojnë zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç dhe Ministri i Ekonomisë Zheljko Sertiç.

Në takim informal janë edhe kreu i diplomacisë së Bosnjës dhe Hercegovinës Zlatko Lagumxhija dhe ndihmësi i ministrit të Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike Boshko Kenjiç. Në takimin rajonal kanë mbërritur edhe ministrat e Malit të Zi, Igot Lukshiç dhe Vladimir Kovariç, ministrat e Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe Arben Ahmetaj dhe ata të Maqedonisë, Nikola Poposki dhe Kristijan Delev.

Në tryezë para ministrave janë vetëm emrat e tyre, ndërsa kreu i diplomacisë serbe Ivica Daçiç më parë kishte deklaruar për mediat e Beogradit se takimi do të mbahet në të ashtu-quajtur formatin “gimnih” dhe se nuk do të ketë ” pyetje të çështjeve problematike” që kanë të bëjnë me Kosovën.

Mbajtja e takimit është caktuar në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Berlin më 28 gusht, me iniciativën e kancelares gjermane Angela Merkel, ku të pranishëm ishin krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Back to top button