??Kosovarët të flaktë për integrim në Evropë

Një sondazh i kryer gjatë periudhës kohore maj-korrik, ka treguar se popullariteti i Bashkimit Europian në Kosovë mbetet i lartë.

Sipas sondazhit, të implementuar nga “UBO Consulting” që është publikuar në faqen e Zyrës së BE’së në Kosovë, kosovarët nuk janë aspak euroskeptikë.

Nëse një referendum do të mbahej nesër, 73 përqind e të anketuarve do t’i thoshin “po” integrimit të Kosovës.

Kjo shifër ka shënuar ngritje nga viti i kaluar ku 72 përqind e të anketuarve ishin deklaruar pro integrimit të Kosovës.

Por, kur janë pyetur nëse Kosova është e gatshme të integrohet në BE, 53 përqind kanë deklaruar “po” ndërsa 32 përqind “jo”

Po ashtu, sipas anketës kosovarët kanë edhe njohuri të mëdha rreth BE’së , edhe pse shifra është më e ulët se në vitin 2010, ku 30 përqind e respondentëve ishin deklaruar se e njohin shumë mirë BE’në.

Respondentët, 73 përqind e tyre kanë deklaruar se janë në dijeni që BE është duke i ofruar ndihmë financiare dhe teknike vendit dhe se Kosova duhet t’i forcojë lidhjet me BE’në.

Shumica, 71 përqind e të anketuarve besojnë se integrimi në BE do të ishte i favorshëm për Kosovën.

“Shumica e respondentëve mendojnë se BE’ja do ti ndihmonte Kosovë që të merret me korrupsionin, krimin, papunësinë, demokracinë, mbrojtjen, çështjet e jashtme, në shkencë e teknologji si dhe në çështjen e taksave” thuhet ndër tjera në sondazh.

Kohë më parë Ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane Lutfi Haziri, të cilët janë bashkëkryesues të Task Forcës për Integrim Europian zyrtarisht i kanë dorëzuar Presidentes Draftstrategjinë Kombëtare për Integrim Evropian, në të cilën parashihet që vendi të integrohet në BE deri në vitin 2020.

Por duket se rruga drejtë BE’së të jetë mjaftë e vështirë për shkak të kushteve të shumëta që duhen plotësuar dhe për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, krimit të organizuar në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button