Ashtu si Ahmeti edhe Gruevski pranon dobësitë në fusha të caktuara

Kryeministri  Nikolla Gruevski për dallim nga lideri i BDI-së Ahmeti, duke përdorur fjalor më të butë, pranon se ka dobësi në fusha të caktuara por se punohet me përkushtim për tejkalimin e tyre. Sipas tij situata në gjyqësor, administratë dhe të tjera nuk është ideale megjithatë punohet në vazhdimësi dhe sukseset janë evidente.

“Unë deklaratën e tij nuk do e komentoj, unë do komentoj atë që e kam thënë edhe në të kaluarën se ne bëjmë përpjekje të mëdha që t’i lëvizim punët në çdo sferë, në çdo sektor dhe kemi suksese serioze në këtë. Kuptohet çdoherë ka dobësi, ne asnjëherë nuk kemi thënë se situata në cilëndo sferë është ideale por kemi përparim të vazhdueshëm. Përveç që kemi përparim të vazhdueshëm ekziston hapësirë edhe për më shumë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat për përparimin në të gjitha fushat përfshirë edhe këto që u theksuan”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër, transmeton Alsat.
Ditë më parë lideri i BDI-së Ali Ahmeti pranoi se në radhët e partisë së tij dhe të VMRO-DPMNE-së ka funksionar të papërgjegjshëm që keqpërdorin pozitat e tyre dhe se në vend akoma ka gjyqësi selektive dhe administratë të partizuar.

“Nëse do të bëhesh pjesë e Bashkimit Evropian duhet të jesh edhe auto-kritik. Pse a mendoni se e gjithë BDI-ja janë engjëj? A mendoni se nuk e keqpërdorin pushtetin? Pse, a të gjithë engjëj janë të VMRO DPMNE-së? Jo!Reforma në gjyqësi, a na duhen? Sigurisht që na duhen! A ka gjyqësi selektive? Po, ka gjyqësi selektive! A ka administratë të politizuar dhe partizuar? Po, ka!”, u shpreh Ahmeti.

Këto komente lideri i BDI-së Ahmeti i bëri gjatë komentimit të vërejtjeve dhe kritikave nga BE të theksuara në progresin e fundit të progresit.

Lajme të ngjashme

Back to top button