Në Gostivar u realizua aksioni “Qytet pa mbeturina”

Në Gostivar u realizua aksioni “Qytet pa mbeturina”, e cila realizohet në kuadër të aksionit “Maqedonia pa mbeturina”, ku për herë të parë morën pjesë përfaqësues nga pushteti lokal, ai qendror dhe nga Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar.

Aksioni nisi nga qendra e qytetit në Gostivarit ku fillimisht pjesëmarrësit u pajisën me mjete pune, doreza, fshesa dhe me lopata.

“Ne të gjithë angazhohemi që të kemi një qytet më të pastër dhe prandaj unë i ftoj të gjithë qytetarët që të tregohen të kujdesshëm me gjendjen e pastërtisë. Ne, për këtë qëllim u kemi shkruar letër të gjithë qytetarëve, që secili të pastrojë në lagjen e vetë, para dyqaneve, kompanive e punishteve të veta për shkak se higjiena e përgjithshme është shëndet për të gjithë. Ne si institucione jemi angazhuar për një qytet më të pastër për shkak se pastërtia shkon në dobi të të gjithë banorëve të qytetit tonë”, theksoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“ Zoti i plotfuqishëm është i bukur dhe e donë të bukurën, është i pastër dhe e donë të pastërtën, andaj ne kemi përgjegjësi edhe fetare, edhe individuale por edhe kolektive që të kontribuojmë për një qytet të pastër. Unë sot në emër të BFI-së Gostivar të apeloj tek të gjithë qytetarët që kujdesin më të madh ta kenë në pastërtinë e hapësirave ku ne jetojmë dhe veprojmë sepse në këtë mënyrë do të ecim përpara. Islami kërkon që çdo ditë e re jetë me rezultate të reja dhe me e përparuar se dita e kaluar”, tha muftiu i BFI-së, Shaqir Fetahu.

Në Gostivar aksioni është zhvilluar në mbi nëntë lokacione të ndryshme ku të punësuarit në sektorë të ndryshme të komunës dhe të ndërmarrjes publike “Komunalec”, kanë bërë pastrime në rrugën e Dibrës deri të udhëkryqi kryesor Gostivar – Kërçovë, në Bulevardin “Vëllezërit Gjinoski” deri në dalje të qytetit, në qendër të qytetit deri te rruga “Boris Kidriç”, bulevardi “Goce Dellçev”, deri te stacioni i autobusëve, rrugët Mlladen Gruevski, Dimitar Vllahov, Tod Bogdanovski, Ivo Llola Ribar, Pançe Poposki, Beliçica, rruga 101 deri të ish fabrika Silika si dhe Kej i Lumit Vardar.

Lajme të ngjashme

Back to top button