UEFA vendos: Dënimet me 23 tetor

UEFA hap çështje disiplinore ndaj Serbisë dhe Shqipërisë mbi dhunën e shfaqur në ndeshjen në Beograd. Teksa vendimi pritet të merret të enjten e 23 tetorit, prestigjiozja britanike The Guardian raporton se përveç Serbisë edhe Shqipëria rrezikon të përballet me sanksione të ashpra disiplinore.

 Gjithçka është konfirmuar nga delegati i UEFA-së, Hari Bin, përpara se zëdhënësi Pedro Pinto t’i thoshte Assocciated Press-it se “organi më i lartë i futbollit evropian do të hapte një çështje disiplinore për të dyja përfaqësueset.”

Serbia në të kaluarën ka zhvilluar disa ndeshje me stadiumet bosh si pasojë e dhunës së shfaqur nga tifozët dhe mund të detyrohet sërish duke filluar nga ndeshja e 14 nëntorit përballë Danimarkës të luajë pa tifozë. Shqipëria gjithashtu mund të dënohet për provokimin e përleshjeve, – thotë The Guardian – pasi përpara ndeshjes ishte marrë vendimi për të mos lejuar asnjë flamur shqiptar nga fansat kuq e zi, transmeton Asport.

Kujtojmë se ishte një vendim i përfaqësueses shqiptare për t’u mos kthyer në fushë, pasi u dhunua nga tifozë, lojtarë dhe përfaqësues të sigurisë, që çoi në pezullimin e ndeshjes. Por duket se faktori kryesor që po merret në konsideratë është “flamuri i telekomanduar”, ndërsa tanimë të dyja përfaqësueset – thotë prestigjiozja britanike – mund të goditen me sanksione të rënda.

Më herët Presidenti i UEFA-së, Michel Platini e përshkroi dhunën e Beogradit si të pajustifikueshme duke shtuar: “Futbolli nuk duhet përzier me asnjë lloj politike.” Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter, i cili dënoi ashpër atë çka ndodhi në Beograd duke theksuar se futbolli nuk duhet të përdoret kurrë për mesazhe politike.

Kështu me këtë çështje disiplinore të hapur, të dyja përfaqësueset do të kenë kohë deri më 22 tetor për t’u përgjigjur pretendimeve dhe akuzave ndërsa vendimi pritet të jepet më 23 tetor.

Lajme të ngjashme

Back to top button