Tensione në Beograd, policia serbe arreston 45 shqiptarë (Foto)

Ora 17:28 – Tensionet e krijuara në aeroportin e Beogradit me bllokimin e grupit të biznesmenëve dhe gazetarëve shqiptarë ka vënë në lëvizje Ministrinë e Jashtme shqiptare.

Ministri Bushati ka thirrur menjëherë Ambasadorin serb në Tiranë për sqarim, ndërsa ka shprehur angazhimin për një lidhje telefonike me homologun Daçiç, raporton Ora News.

“Ne jemi vënë në dijeni nga Ambasada jonë në Beograd lidhur me shqetësimin e ndalimit të dy shqiptarëve në aeroportin e Beogradit. Kemi kërkuar që Ministria e Jashtme e Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën në Beograd të ndjekin nga afër gjithë situatën.

Jemi në gadishmëri të plotë për tu qëndruar pranë qytetarëve shqiptarë në këtë momente, ashtu sikundër jemi të vendosur që të mos cënohet asnjë qytetar shqiptar nga kjo situatë.

U kemi kërkuar autoriteteve serbe të dëshmojnë maturinë për këtë lloj momenti. Ashtu sikundër kemi kërkuar edhe që të jetë prezent në Ministrinë e Jashtme Ambasadori serb në Tiranë. Ministri është në kontakt direkt edhe me Ambasadorin tonë Boçka në Beograd, i cili ndodhet në terren. Ministri ka shprehur angazhimin e tij maksimal për të vendosur dhe një bisedë direkte me homologun e tij Daçiç.

Nga momenti në moment jemi në pritje të vendosjes së komunikimit, janë marrë të gjitha hapat nga Ministria e Jashtme për të qenë në krye të situatës” tha në një lidhje telefonike për Ora News, këshilltari për mediat i MPJ-së, Glevin Dërvishi.

Dërvishi tha se nga raportimet e Ambasadorit shqiptar në Beograd mësohet se ka një lehtësim të situatës në aeroport dhe shumë shpejt pritet zgjidhje e plotë e saj.

Sipas tij, sporti duhet të luhet në fushën e blertë dhe nuk ka pse kthehet në element të aeroporteve dhe as forcave të rendit të Serbisë.

“ Kemi një lloj lehtësimi të situatës. Shpresojmë që brenda pak kohëve të kalojmë në lirimin e plotë të saj. Ne jemi në krye të detyrës për të qenë pranë qytetarëve tanë në këto momente. Kjo është një ndeshje futbolli dhe nuk ka pse të kthehet në elementë të tillë të pakëndshëm për të dy palët, mendojmë se do të gjendet maturia e duhur për të çtensionuar situatën, nuk i shërbën asnjë pale. Sporti është sport dhe meriton të luhet në fushën e blertë nuk ka pse të jetë element i aeroporteve dhe autoriteteve të rendit”. (Ora News)

policia serbe arreston 45 shqiptarë
Policia serbe arreston 45 shqiptarë – FOTO: Top Channel

___________________________________

Ora 16:43 – Një grup gazetarësh dhe biznesmenësh shqiptarë janë ndaluar nga policia në aeorportin e Beogradit. Shqiptarët kishin mbërritur në Beograd për ndeshjen e kombëtares shqiptare me Serbinë, por njëri prej tifozëve është ndaluar pasi mbante në qafë një shallë me flamurin shqiptar, raporton Ora News.

Në këtë mënyrë policia ka ndaluar procedurat e kontrollimit të pasaportave. Shqiptarëve u janë marrë pasaportat nga shërbimi i kontrollit dhe nuk u kthehen dhe as u jepet shpjegim për këtë situatë. Mësohet se ata do të qëndrojnë aty deri në një urdhër të dytë nga policia.

Mësohet se për zgjidhjen e kësaj situate ka ndërhyrë dhe Ambasadori shqiptar në Beograd Ilir Boçka, i cili po negocion me autoritetet serbe.

______________________________

45 shtetas shqiptarë janë arrestuar në aeroportin e Beogradit nga policia serbe.

Gazetari i Top Channel, Sokol Balla përmes profilit të tij në “Twitter”, ka thënë se policia serbe i ka arrestuar 45 shqiptarë duke iu pamundësuar atyre që të ndjekin sonte ndeshjen e futbollit në mes të Shqipërisë dhe Serbisë. / Portalb

Sokol Balla

Lajme të ngjashme

Back to top button