Sela: Nuk është PDSH-ja ajo parti të cilin e uzurpon Menduh Thaçi

Lëvizja e Ziadin Selës e cila e vlerëson Kongresin e PDSH-së si të paligjshëm, vazhdon formimin e këshillave për reforma brenda-partiake, nëpër degët paralele të PDSH-së. Mbrëmë në Saraj lëvizja e Selës zgjedhi Qerim Mamutin si kryetar të Këshillit Reformator. Mamuti do të koordinojë aktivistët e lëvizjes së Selës në 24 fshatrat e Komunës së Sarajit. Gjatë fjalimit të tij, Ziadin Sela kritikoi ashpër mënyrën e organizimit të Kongresit dhe siç tha ai, uzurpimit të PDSH-së nga Menduh Thaçi.

“Kjo është PDSH-ja. Nuk është PDSH-ja ajo parti të cilin e uzurpon Menduh Thaçi. Nuk është PDSH-ja partia e cila ka lider i cili ditën bën patriotin, dhe në mbrëmje shkon i ndan mendimet me shefe shërbimesh sekrete. Ne nuk kemi dashur kurrë një lider i cili koketon me shef UDB-e. Sepse PDSH-ja dikur ka qenë opsion i pastër kombëtar. E tillë është akoma, përjashto disa individë, të cilët mundohen që këtë vullnet për ndryshime, këtë masë të madhe të popullit, ta shndërrojnë në profit të tyrin personal”, deklaroi Ziadin Sela, Lëvizja për Reforma.

Ziadin Sela ka paralajmëruar padi ndaj Menduh Thaçit për shkelje të statutit partiak gjatë organizimit të Kongresit, para kohës së rregullt që parashikon statuti. Deri në shpalljen e vendimit, për të cilin nuk është optimist për shkak të gjendjes së gjykatave në vend, Sela do të vazhdojë nismën e tij për reforma edhe në pjesët tjera të Maqedonisë, të banuar me shqiptarë. Për sot është paralajmëruar formimi i këshillit nismëtar për reforma në Çair të Shkupit.

Lajme të ngjashme

Back to top button