Shkëndija demanton se bisedon me Nuredinovskin

Kryesia e klubit Shkëndija nga Tetova ka përgënjeshtruar lajmin e disa mediave se klubi është pranë angazhimit të portierit të ri.
“KF Shkëndija demanton kategorikisht interesin për Edin Nuredinovskin. Vlerësojmë se në skuadër kemi portierin më të mirë në Ligën e Parë, Marko Jovanovskin, ndërsa ky lajm cilësohet si dezinformatë e klasit të parë dhe ndoshta tentim për të futur pakënaqësi në taborin ‘kuqezi’.

Drejtuesit e klubit mbesin të befasuar nga ky spekulim, për më shumë për informatat e pavërteta se tani më janë vendosur kontaktet e para, ndërsa për gjithë këtë dezinformatë nuk është kërkuar mendim i zyrtarëve të klubit.
KF Shkëndija dëshiron të bëjë me dije edhe një herë se nuk ka interesim për Edin Nuredinovskin dhe se nuk shihet arsye për diçka të tillë. Marko Jovanovski është duke kryer detyrën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, stafi teknik dhe drejtuesit janë të kënaqur nga ai dhe pikërisht performansat e mira e bëjnë që Jovanovski të vlerësohet si portieri më i mirë në Ligë.

Duke shpresuar se në të ardhmen nuk do të përsëriten lajme të këtilla të pavërteta në media të caktuara, KF Shkëndija kërkon korrektësi nga të gjithë mediumet në rrugën drejt vazhdimit të marrëdhënieve të mirëfillta”, thuhet në komunikatën e lëshuar përmes faqes zyrtare të klubit.

Lajme të ngjashme

Back to top button