Ebola, masa të larta sigurie në portin e Durrësit

Përhapja e shpejtë e virusit të Ebolës ka rritur masat e sigurisë edhe në pikën më të madhe kufitare detare në vend. Ekipi i epidemiologëve të portit detar të Durrësit ka forcuar kontrollet dhe marrë masa për të ndërgjegjësuar udhëtarët dhe marinarët mbi Ebolën, simptomat dhe pasojat e saj.

Ndonëse kryerja e analizave e përjashtoi rastin e britanikut në Maqedoni si të prekur nga ebola, masat në kufi vijojnë të jenë të larta. Në vende të ndryshme të terminalit të udhëtarëve dhe portit janë afishuar materiale me informacione mbi ebolën.

Një autoambulancë dhe karantina janë gjithnjë në gatishmëri për të shoqëruar personat me simptoma të dyshimta, të cilët më pas duhet t’i nënshtrohen analizave të kryera në laboratorë specifikë jashtë vendit, transmeton Tch.

Përveç shkëmbimit të informacionit mbi gjendjen gjatë lundrimit me mjekët e trageteve dhe anijeve që prekin portin e Durrësit, ekipi prej 5 personash bën edhe verifikimin e gjendjes shëndetësore të udhëtarëve dhe marinarëve. Më të vëzhguar janë ekuipazhet e anijeve që lundrojnë dhe ndalojnë në portet e Afrikës, kontinenti nga ku po importohet virusi i frikshëm. Por, deri më sot nuk ka pasur raste të dyshuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button