Ali Ahmeti u shkruan ndërkombëtarëve, ja se çfarë përmban letra

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka nisur tu dërgojë letra personale përfaqësuesve të lartë të komunitetit ndërkombëtar që kanë kontribuar shumë në Maqedoni dhe në rajon pas vitit 2001 duke kërkuar nga ata ndihmë dhe më shumë kontribut në zgjidhjen e kontestit të emrit.

Letra e z. Ali Ahmeti i është dërguar ish Sekretarëve të Përgjithshëm, të NATOsë, Lord Xhorxh Robertson, Jaap De Hoop Scheffer dhe z. Javier Solana i cili ishte edhe Përfaqësues i lartë i BE për politikë të jashtme, gjithashtu edhe Z. Peter Feith, Nik Bigman, Xhejms Pardju, Fransua Leotard, Alen Le Rua, Fransua Teral, Bernard Valero, Dejvid Slin, Robert Sery, Lari Batler, Kristofer Hill, Filip Gordon, Nikolas Bërns, Aleksis Bruns, Majkël Salin, Ervan Fuere, Xhon Durans, Denis Bliz, Brajan Kurën, Marti Ahtisari, Albert Rohan, Frenk Vizner, Edvard Xhozef, Daniel Server, Majkëll Hatcel, Xhemjs Pardju, Shtefan Lene, Kreg Xhenes, dhe shumë të tjerëve.

Letra integrale e Ali Ahmetit:

“I nderuari Lord Robertson,

Dymbëdhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe pas më shumë se një dekade të investimeve të përbashkëta kapitale nga ana e komunitetit ndërkombëtar dhe autoriteteve vendore, po Ju shkruaj që t’Ju falëmnderoj edhe një herë për kontributin tuaj të çmuar drejt këtyre arritjeve. 

Kjo ndërmarrje e sinqertë dhe e përbashkët solli dialog, paqë, siguri, stabilitet, marrëdhënie stabile ndëretnike dhe perspektivë EuroAtlantike për Maqedoninë, kështu që vendi im mori statusin vend kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005, kryesisht si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Gjithashtu, NATO njohu arritjet e vendit dhe konkludoi që Maqedonia është e gatshme për tu bërë anëtare e aleancës, ku të gjithë ne synojmë.

Tash, po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim që të gjitha këto arritje mund të rrezikohen nga kontesti i pazgjidhur i emrit të vendit tonë me fqiun jugor Greqinë, kontest ky që po e mban Maqedoninë larg kurorëzimit të të gjitha investimeve me qëllimin përfndimtar, anëtarësim në NATO dhe BE.

Në 100 vjetorin e luftërave tragjike Ballkanike, koha ka ardhur për pajtim midis kombeve të Ballkanit perendimor dhe integrimin e të gjitha vendeve tona në NATO dhe Bashkimin Evropian. Republika e Maqedonisë dhe Greqia patjetër duhet të arrijnë një marrëveshje tani dhe të ndjekin rrugën e kompromisit që e arritën së shpejti edhe Kosova dhe Serbia. Kjo do ti përmirësonte në mënyrë të ndjeshme marrëdhëniet ndërfqinjësore, por edhe do të siguronte paqë, siguri dhe stabilitet në gjithë rajonin e Ballkanit Perendimor.

Andaj, dialogu dhe kompromisi janë rrugët më të mira drejt mbylljes së kapitujve të luftërave në rajon dhe hapjes së mundësive për bashkëpunim dhe integrim EuroAtlantik të të tërë rajonit. Kjo duhet të ndodh tani.

Nëpërmjet të kësaj letre personale, dua që t’Ju siguroj për konsideratën time më të lartë dhe t’Ju ftoj që ta shfrytëzoni autoritetin tuaj ndaj miqve dhe institucioneve që kanë kontribuar shumë në këto procese madhore paqësore në mënyrë që ta kapitalizojmë investimin tonë të madh të përbashkët në Maqedoni në dekadën e fundit nëpërmjet të arritjes së qëllimit përfundimtar, anëtarësimit të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Për t’a arrirë këtë, do ta vlerësoja shumë kontributin tuaj të çmuar në:
Sjelljen e kësaj çështje në vëmendjen urgjente të Komunitetit Ndërkombëtar; 
Uljen e të dy palëve në mënyrë që të fillojë dialogu në nivel të lartë sa më parë, si dhe;
Arritjen e kompromisit përfundimtar mbi kontestin e emrit midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë. ” përfundon letra.

Ahmeti dje tha se VMRO nuk dëshiron debat publik për çështjen e emrit për dallim nga BDI-ja. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button