Marrëveshja e Ohrit në sytë e Brukselit, ende e pazbatuar!

Në raportin e Komisionit Evropian kritikohet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, sipas të cilit në këtë fushë nuk është bërë progresSa i përket Marrëveshjes së Ohrit, këto u thanë në raportin e këtij viti, dedikuar Maqedonisë

Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit në vitin 2011, siguroi kornizë për karakterin e garantuar multietnik të shoqërisë. Si do qoftë, mungesa e besimit midis bashkësive po mbizotëron. Tensionet mund të nxiten lehtësisht me interpretimin e gabuar të ngjarjeve apo incidenteve, siç ishte rasti pas zgjedhjeve në prill të këtij viti. Nevojitet qasje më proaktive dhe e përbashkët ndaj promovimit të shoqërisë multietnike.

Viteve të fundit, kemi përçarje politike, e cila rezultoi me një krizë dhe ngecje në dialogun politik. Partitë në qeveri kanë shkatërruar kështu besimin e popullit në institucionet publike. Vërehen shqetësime serioze edhe për kontrollin e qeverisë mbi institucionet publike si dhe mediat. Po ashtu duhet të punohen në drejtim të lirisë së shprehjes dhe të mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe cilësinë e drejtësisë.

Prioritet kryesor i MO-së  vazhdon të jetë sigurimi bazë i marrëdhënieve ndërshoqërore. Ka hapësirë për përmirësim në pjesët kundër diskriminimit, përfaqësimit të drejtë, përdorimit të gjuhës dhe edukimit. Ligji për përdorimin e gjuhës, flamurit të komuniteteve që jetojnë në Maqedoni ende nuk është implementuar siç duhet. Nevojitet shqyrtimi i Marrëveshjes së Ohrit që të kompletohet i njëjti dhe rekomandimet e tij të zbatohen.

Protestat e shqiptarëve filluan në korrik pas verdiktit gjyqësor për rastin “Monstra”, në të cilin u vranë disa persona gjatë vitit 2012. Vrasja e adoleshentit në Shkup, Gjorgje Petrov në muajin maj nuk kishte motivim etnik, mirëpo nxiti protesta të cilat krijuan tension ndëretnik, duke ekspozuar sërish mungesë të besimit të liderëve të të dy komuniteteve. Koalicioni u mundua t’i qetësojë protestat por disa liderë politik të të dy komuniteteve vazhduan të përdorin etnitetin, gjuhën e urrejtjes, posaçërisht në kampanjat zgjedhore. Më shumë duhet të punohet që Marrëveshja e Ohrit të promovojë marrëdhëniet ndëretnike në mënyrë pozitive.

Analistët vlerësojnë se MO nuk po realizohet siç duhet, rëndësi më shumë anës teknike sesa asaj shpirtërore.

“Marrëveshja e Ohrit duhet të realizohet në dy aspekte. Aspekti i parë është ai teknik në të cilën bën pjesë punësimi proporcional, ndryshimet ligjore etj., të cilat mund të thuhet se deri diku janë realizuar, mirëpo problematikë është aspekti i dytë, ai i cili është themel për shoqërinë dhe bashkëjetesën, multikulturën. Raportet ndërtohen negativisht sidomos me projektet e fundit siç është ai i ‘Shkupi 2014’, i cili thyen besimet ndëretnike dhe është monoetnik dhe kështu themeli i shoqërisë zhvillohet në bazament të dobët”, tha për Portalb, analisti Ibrahim Mehmeti.

Ai shprehet se tani nuk ka gatishmëri që të punohet në këtë drejtim.

“Kritikat e raportit të KE-së, janë me vend, por nuk shoh ndonjë gatishmëri sa i përket realizimit të rekomandimeve të MO-së. Të gjithë fokusohen në punësime, kjo është negative, mirëpo ku mbetet gjuha shqipe, e cila po nënçmohet dhe diskriminohen në vend. Nuk mendoj se Maqedonia do të merr së shpejti notë pozitive, sa i përket realizimit të MO-së”, shtoi Mehmeti.

Profesoresha e shkencave politike, Mirjana Malevska thotë se realizimi i MO-së nuk është në rrugën e duhur.

“MO është duke u realizuar teknikisht po mungon shpirti i kësaj marrëveshje. Shpirti është ai i cili mundëson marrëveshje mes qeveritarëve dhe popullit, të cilët së bashku do të gjejnë një plan apo projekt për përmirësimin e bashkëjetesës, dhe jo vendosjen e përmendoreve të panevojshme. Partitë politike nuk kanë prioritet bashkësinë, secila punon për vete dhe nuk ka kompromis. Të gjithë flasin për numra jo për shpirtin e MO-së. Shqiptarët flasin më shpesh për MO-në mirëpo edhe ata siç duket nuk e marrin seriozisht këtë çështje. Duhet të punohet që besimi të shtohet çdo ditë, të pavarësohen gjykatat, të kemi lirinë e shprehjes etj. Vetëm atëherë mund të shpresohet për ndonjë vlerësim pozitiv për Maqedoninë”, tha për Portalb, Malevska.  /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button