Rruga deri te parimet demokratike
Zhvillimi historik i sistemit administrativo-politik francez ka kaluar përmes disa transformimeve të ndryshme dhe të shpeshta, edhe atë: Republika e I, gjatë periudhës 1792-1804; Republika e II, gjatë periudhës 1848-1873; Republika e III, 1873-1944; Republika e IV, 1944- 1958 dhe Republika e V, e cila fillon gjatë periudhës 1958 e deri më sot. Nga fazat e zhvillimit historik të sistemit administrativo-politik, vërejmë një zhvillim të mbushur përplot ndodhi revolucionare, përplasje të ideologjive të ndryshme, sisteme të paqëndrueshme politike me ndryshime dhe reforma të shpeshta, që për dallim nga sistemi politik anglez i cili karakterizohet me zhvillim stabil politik, duke ruajtur një pjesë të madhe të institucioneve tradicionale, Franca ka kaluar një rrugë të lodhëshme duke filluar nga Luigji XIV “L’etat C’est moi” (Shteti jam unë), e deri te ajo që nënkupton demokracia bashkëkohore.
Revolucioni Borgjez Francez i vitit 1789 ka një rëndësi të madhe për shtetin dhe kombin francez, por edhe për gjithë botën e civilizuar. Ky revolucion parqet fundamentin e shtetit modern i mbështetur në ligj dhe barazi të plotë. Rëndësia e këtij revolucioni ka të bëj me idenë e zhvillimit të demokracisë dhe format e ndërtimit politik jo vetëm në Francë, por duke i kaluar kufijtë e saj me reflektimin e ndryshimeve në rradhë të parë në Amerikë e më pastaj edhe në disa shtete të tjera. Për francezët revulucioni paraqiste fundin e sundimit të Luigjit të XVI dhe krijimin e një republike me parime demokratike, për botën e qytetëruar ky revolucion mbahet mend sipas Deklaratës për të drejtat e njeriut dhe qytetarit, të sjellë më 26 gusht 1789. Kjo Deklaratë dha një kontribut të madh mbi vendosjen e parimeve mbi liritë dhe të drejtat e njeriut duke i përshkruar të gjitha liritë elementare të një shoqërie demokratike, e cila do të shërbejë si pikënisje për të gjitha dokumentet në nivel nacional dhe ndërkombëtarë, duke filluar që nga kushtetuta e parë e shkruar. Përfundimisht, më 1791 u soll edhe Kushtetuta e parë, e cila Francën e parashihte si një monarki të kufizuar, parlament një dhomësh dhe përfaqësim të plotë të popullit.
Institucionet politike dhe ndarja administrative
Pushteti shtetëror në Francë është i ndarë në pushtet qëndror dhe atë lokal. Si pjesë e pushtetit qëndror bëjnë pjesë: Presidenti, Qeveria dhe Kuvendi. Ndërsa pushteti lokal është dyshkallësh i përbërë nga komunat, departamentet, dhe Parisi si njësi e veçantë administrative.
Presidenti i Republikës: zgjedhja bëhet në mënyrë të drejtpërdrejt nga qytetarët, me mandat shtatë vjeçar me të drejtë për t’u rikandiduar edhe një herë. Si kompetenca më të rëndësishme sipas kushtetutës janë: udhëheq me politikën e jashtme, komandant suprem i forcave të armatosura, shef i pushtetit ekzekutiv, emëron kryeministrin dhe anëtarët e qeverisë, udhëheq me seancat e qeverisë, ka të drejtën e vetos ndaj akteve të miratuara në Kuvend, etj.
Qeveria: si organ egzekutiv, i zgjedhur nga Presidenti i vendit, me përgjegjësi të dyfishtë, formalisht i përgjigjet Parlamentit, kurse realisht përgjigjet para Presidentit. Qeveria asnjëherë nuk mund të udhëheqë politikën e cila është në kundërshtim me qëndrimet e Presidentit. Me mbledhjet e qeverisë udhëheq Presidenti dhe është nënshkrues i të gjitha akteve që miratohen në seancat qeveritare. Si në shumicën e sistemeve me demokraci parlamentare qeveria funksionon në bazë të koalicioneve multipartiake. Në strukturën e tanishme qeveritare bëjnë pjesë 37 ministra, të ndarë në tre kategori, në ministra shtetëror, sekretarët shtetëror dhe ministrat e deleguar. Ministrat shtetëror janë përgjegjës për zbatimin e platformës qeveritare dhe japin llogari para Kuvendit, ndërsa sekretarët shtetëror dhe ministrat e deleguar bëjnë pjesë në kategorinë më të ulët se ministrat shtetëror, ata ju ndihmojnë ministrave dhe kryeministrit gjatë ushtrimit të funksioneve. Po ashtu vlen të theksohet se në kuadër të qeverisë ekziston edhe Sekretariati gjeneral i Qeverisë si organ administrativ, i cili siguron organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së Qeverisë. Ky sekretariat paraqitet si organ i përhershëm në të cilin nuk ndikojnë ndryshimet politike, pra sekretari gjeneral i Qeverisë dhe nëpunësit e tjerë janë të përhershëm.
Kuvendi: është bartësi i pushtetit ligjvënës, i ndarë në dy dhoma (bikameral) në Asamblenë nacionale dhe Senati. Asambleja paraqet dhomën e ulët të përfaqësuar nga populli e cila zgjedhet me mandat pesëvjeçar. Ndërsa Senati apo dhoma e lartë, zgjedhja e të cilit bëhet në bazë të parimit të përfaqësimit territorial nga të gjitha viset në Francë, me mandat nëntëvjeçar, ku në çdo dy vite bëhet rizgjedhja e një të tretës së anëtarëve. Kompetencat e të dy dhomave në parim janë të njëjta, me përjashtim nga e drejta e Asamblesë Nacionale e cila ka të drejtë të ngrit mocionin e përgjegjësisë së qeverisë, të cilën nuk e ka Senati. Struktura e Kuvendit është shumëpartiake me orientime të ndryshme programore, por gjithnjë në kuadër të koalicioneve politike, që formohen me qëllim të formimit të qeverisë së koalicionit. Kuvendi mblidhet në dy sesione të zakonshme për çdo vit, i pari hapet më 2 tetor që zgjat 80 ditë, ndërsa sesioni i dytë hapet më 2 prill me kohëzgjatje 90 ditë.
Siç e përmendëm edhe më lartë, pushteti lokal është dyshkallësh i përbërë nga komunat dhe departamentet, por si përjashtim apo si njësi e veçantë paraqitet komuna e Parisit. Në kuadër të komunave bën pjesë këshilli si organ vendimmarrës, i cili bën përzgjedhjen e kryetarit dhe zëvendësve të tij, këshilli zgjedhet me mandat gjashtëvjeçar. Në kuadër të departamenteve bën pjesë prefekti i cili është organ ekzekutiv i vendosur apo i përzgjedhur nga pushteti qëndror; këshilli i përgjithshëm i cili zgjedhet në zgjedhje të përgjithshme nga elektorati i cili mblidhet dy herë në vit; dhe komisioni i departamentit i cili është organ i përhershëm, anëtarët e të cilit i emëron këshilli i përgjithshëm.
Thuaj se të gjithë prefektët dhe nëpunësit administrativ e kanë të mbaruar shkollimin në shkollën nacionale për administratë ENA, e cila është burimi i burokratëve në Francë.
Nga kjo që u tha më lartë mund të konkludojmë se, Franca llogaritet si një ndër shtetet më të centralizuara në Europë, ku edhe pse me kushtetutë qeveria është ajo e cila përcakton dhe drejton politikën kombëtare, praktika e dëshmon të kundërtën. Nëqoftëse i analizojmë më thell nenet që përcaktojnë funkcionet dhe rolin e presidentit të vendit atëherë kemi të bëjmë me një kuptim tjetër, de fakto, qeveria është nën mbikqyrjen e presidentit të republikës.
(PhD kandidat për Administratë publike të krahasuar)