Shokët, miqësia dhe këshilla

Ai që të kritikon, ta do të mirën, kurse ai që ti quan të lehta fajet, nuk kujdeset për ty. Të qortosh shokun është si të shkrish një copëz minerali: ai ose do të rafinohet, ose do të avullojë e të zhduket.

Cilido nga shokët që të mban sekret diçka që të intereson, është më tradhtar se dikush që ta nxjerr sekretin. Arsyja është se ai që ta nxjerr sekretin thjesht të ka tradhtuar, kurse ai që nuk ta tregon sekretin, të ka tradhtuar dhe nuk të ka besuar.

Mos dëshiro të jesh shok i atij që s’kujdeset për ty, sepse do të fitosh veç zhgënjim dhe turp! Mos u largo prej dikujt që dëshiron të jetë shok me ty, sepse është një lloj padrejtësie e mosmirënjohjeje, diçka shumë e shëmtuar kjo.

Kush detyrohet të përzihet me njerëzit, duhet të mos i tregojë shokut të vet gjithçka që i shkon nëpër mend, dhe të ndahet prej tij vetëm me idenë se ai është armik që i ka zënë pritë. Sa herë që të gdhihet në mëngjes, ai duhet të presë prej shokëve që ta tradhtojnë e ta trajtojnë keq, ashtu siç e pret këtë gjë prej armikut të tij më të betuar. Në këtë mënyrë ai do të jetë i përgatitur për gjithçka: nëse nuk ndodh asgjë e kësaj natyre, le të falënderojë Allahun; nëse e keqja ndodh, ai, së paku nuk do të tronditet. Nga përvoja ime personale do të të tregoj për dikë që mu betua për miqësi të sinqertë e të kulluar në çdo situatë: në vështirësi e në rehati, në mirëqenie e në varfëri, në zemërim e në gëzim. Pas dymbëdhjetë vjet miqësie të pastër e të vazhdueshme me mua, ky mik ndryshoi sjelljen e tij ndaj meje në formën më të shëmtuar, për një shkak shumë banal, të cilin asnjëherë nuk e mendoja se mun të ndikonte në një njeri të tillë. Pas kësaj, ai asnjëherë nuk u pajtua me mua, dhe kjo më dëshpëroi shumë për vite të tëra.

Megjithatë, mos u sill keq dhe mos e ndiq shembullin e njerëzve të këqij e tradhtarë. Përkundrazi, nga kjo përvojë mësojmë se rruga që duhet marrë, është e vështirë, e mundimshme për tu ndjekur. Njeriu që ndjek këtë rrugë duhet të jetë më i orientuar se thëllëza, më i kujdesshëm se laraska, derisa të vijë koha e ndarjes nga njerëzit, për të shkuar tek Allahu i vet i Plotfuqishëm. Kjo rrugë është ajo që të çon drejt suksesit në fe dhe në jetën e kësaj bote. Ndjekësi i saj do të ruajë pastërtinë e qëllimit që kanë njerëzit me shpirt të shëndoshë, që i mbajnë premtimet dhe që janë të dëlirë nga hiletë e mashtrimet. Ai do të ketë virtytet e njerëzve të devtoshëm dhe karakterin e të virtytshmëve. Përveç kësaj, ai do të fitojë sigurinë e mashtruesve dhe moskokëçarjen e keqbërësve më të ligj e tinëzarë.

Rruga është që ti mbash fshehur sekretet që të janë besuar dhe të mos ia tregosh ato asnjë miku apo dikujt tjetër, qoftë ai miku më i ngushtë, për aq sa është e mundur. Duhet ti jesh besnik gjithkujt që të beson diçka, dhe nuk duhet ti besosh askujt gjëra që i ke për zemër, përveçse kur të shtrëngon nevoja. Edhe atëherë mendohu sërish e përpiqu, dhe Allahu i Lartmadhëruar do të të mjaftojë!

Shpenzojë pasurinë e tepërt dhe pozitën tënde për të tjerët, ta kërkuan apo nuk ta kërkuan ndihmën, si dhe për ata që ta kanë nevojën, nëse ke mundësi ta bësh këtë, edhe nëse nuk drejtohen tek ty për ndihmë. Mos prit që të marrësh shpërblim në këmbim të asaj që bëre, përveçse prej Allahut tënd të Madh. Gjithnjë mendo se ai, të cilit i ke bërë nder, mund të jetë i pari që do të të bëjë qeder e do të ngrihet kundër teje, sepse, për shkak të smirës së madhe, njerëzit me natyrë të ligë urrejnë këdo që u bën mirë, nëse shohim se këta të fundit janë në gjendje më të mirë.

Në një marrëdhënie shoqërore, trajtoje tjetrin në mënyrën më të mirë dhe mos ia shfaqpakënaqësinë tënde nëse ai paraqitet me disa të meta, të cilat shkojnë e vijnë me kalimin e kohës, në mënyrë që të jetosh në paqe dhe qetësi.

Mos jep këshilla me kushtin që ato të të dëgjohen: mos ndërmjetëso me kushtin që ndërmjetësimi të të pranohet; mos jep dhurata me kushtin që të marrësh shpërblim! Të gjitha këto duhet ti bësh për të zbatuar virtytet në jetën tënde dhe për të përmbushur detyrimet që ke për këshillimin, ndërmjetësimin dhe bamirësinë.

Kufiri i miqësisë është ai që vërtitet midis dy ekstremeve: njeriun ta dëshpërojë ajo që e dëshpëron shokun e vet dhe ta gëzojë ajo gjë që e gëzon shokun e vet. Çdo marrëdhënie poshtë këtij niveli, nuk është miqësia. Mik është vetëm ai person që zotëron këtë cilësi. Ndodh që njeriu të jetë mik i dikujt që nuk është miku i tij apo që të dojë dikë që e urren atë. Më së shumti kjo gjendet te marrëdhëniet midis etërve dhe bijve të tyre, midis vëllëzërve, midis bashkëshortëve dhe tek ata që miqësia kthehet në dashuri plot pasion.

Jo çdo mik është këshillues i mirë, ndërsa çdo këshillues i mirë tregohet mik në këshillën që jep.

Përkufizimi i këshillës është që këshilluesi të ndihet keq nga diçka që e dëmton tjetrin, edhe nëse ky i fundit ndihet ose nuk ndihet keq; dhe të ndihet i lumtur për diçka që është e mirë për tjetrin, edhe nëse atij i vjen mirë apo keq. Ky kusht i këshillës  është shtesë mbi kushtet e një miqësie të thjeshtë.

Forma më e lartë e miqësisë, përtej së cilës nuk mund të shkohet dot, është të ndash me shokun veten dhe pasurinë tënde pa ndonjë shkak që ta imponon këtë, dhe ta vësh atë mbi çdo njeri tjetër. Në qoftë se nuk do të kisha parë Myzaferin dhe Mubarakun, dy mësuesit e Valencias, do të mendoja se kjo ndjenjë do të ishte zhdukur në kohën tonë. Por asnjëherë nuk kam parë dy burra, përveç atyre, që tu përmbaheshin të gjithë treguesve të një miqësie, pavarësisht ngjarjeve që do ti ndanin të tjerët.

Nuk ka virtyt që u ngjan më shumë veseve, sesa dëshira për të pasur shumë miqë dhe shokë. Ky është një virtyt i plotë dhe i përbërë nga veti të ndryshme, sepse miqtë e shumtë fitohen vetëm me zemërmadhësi, bujari, durim, besnikëri, simpati të ndërsjellë, thejshtësi, mbrojtje të bukur, mësim dhe çdo veti të lavdërueshme. Nuk nënkuptojmë lajkatarët dhe ata që të vijnë pas ditëve të lavdisë, sepse ata janë hajdutë të miqësisë, prishës të shoqërisë. Ti kujton se i ke ata miq, por në të vërtetë ata nuk janë të tillë. Tregues për këtë është fakti se ata të braktisin kur dynjallëku të braktis ty. Gjithashtu, nuk nënkuptojmë as ata që shtiren si miq për një interes të caktuar, as miqtë e gotës së pijes dhe as ata që bashkohen për punë të liga e të shëmtuara, për cenimin e nderit të njerëzve apo për të kënaqur kureshtjen në çështje të padobishme. Ata nuk janë miq. Tregues për këtë është fakti se ata flasin keq për njëri-tjerin dhe ndahen sapo të zhduket interesi i lig që i bashkonte. Në fakt, ne nënkuptojmë vetëm ata miq të pastër që s’bashkohen për interes tjetër, përveçse për hir të Allahut të Plotfuqishëm, ose për të ndihmuar njëri tjetrin në ngadhënjimin e disa virtyteve të vërteta, ose për hir të vetë miqësisë së pastër.

Megjithatë, nëse ndonjëri do të llogariste të metat e pasjes shumë miq, si p.psh: vështirësinë e kënaqjes së të gjithëve, rrezikun që paraqet shoqëria me ta, detyrimet që dalin kur atyre u bie ndonjë fatkeqësi (sepse, nëse i tradhton ata apo i lë në baltë, do të fajësohesh dhe shahesh; por, nëse u qëndron besnik, do të dëmtohesh vetë aq sa mund të japësh edhe jetën, dhe kjo është e vetmja rrugë që zgjedh njeriu i virtytshëm, po qe se lidh një miqësi); dhe, nëse do të meditonte për shqetësimet që sjell shoqëria, për shkak të fatkeqësive që u bien atyre apo për shkak të ndodhive të tilla, si vdekja, ndarja dhe tradhtia, atëherë lumturi e miqësisë pothuaj nuk barazohet me dëshpërimin që shkakton ajo.

Nuk ka ves më të ngjashëm me virtytin, sesa dëshira për tu lavdëruar. Tregues për këtë është fakti se kur na thuhet ndonjë lëvdatë në fytyrë, tregohemi aq budallenj sa ta besojmë, ndërkohë në hadithet e Profetit (a.s.) është thënë për lavdëruesit ajo që dihet. Megjithatë, edhe prej lëvdatës mund të përfitohet diçka, kur nxit dikë të pakësojë të keqen e të shtojë të mirën apo kur e nxit të përvetësojë një sjellje të lavdërueshme që e ka dëgjuar për dikë. Madje vetë e kam dëshmuar se një sundues politikan i kësaj bote takoi një herë një prej atyre njerëzve që u binin në qafë të tjerëve e bënin punë të këqija, duke e pritur me lëvdata. Ai i tha se kishte dëgjuar ta falënderonin dhe të flisnin për të fjalë të mira e të ngrohta kudo. Kjo ishte shkak që ky kriminel të hiqte dorë nga shumë prej sherreve të tij.

Disa lloje këshillash të vështira të dallohen nga përgojimi, sepse kush dëgjon dikë që të kritikojë dikë tjetër apo të intrigojë kundër atij padrejtësisht, dhe ia fsheh këtë personit që ishte objekt i përgojimit apo i intrigës, atëherë mbajtësi i së fshehtës është i padrejtë dhe fajtor. Për më tepër, edhe nëse ia përcjell atij këto fjalë haptazi, mund të bëhet shkak që përgojuesi apo intriguesi të pësojnë probleme më të mëdha nga ç’e meritonin. Kjo do të ishte e padrejtë për ata, sepse nuk është drejtësi që keqbërësi të ndëshkohet mbi masën e veprës së tij të keqe. Për të shpëtuar nga kjo situatë është tepër e vështirë për këdo, përveç njerëzve shumë ëtë zgjuar.

Në një situatë të tillë, zgjidhja më e mirë për të mençurin do të ishte që të mbronte viktimën nga fjalët e përgojuesit, pa ia përcjellë këto fjalë atij, me qëllim që të parandalojë çdo reagim të tepruar nga ana e të përgojuarit, i cili, në këtë mënyrë, do të ngatërrohej më keq. Për sa i përket intrigës, është detyrë që viktima të mbrohet prej saj në formën më të mirë e më të fshehtë të mundshme nga sytë e intriguesit, pa bërë asnjë veprim të mëtejshëm. Ndërsa thashetheme do të thotë ti përcjellësh diçka që ke dëgjuar dikujt që se dëmton ky informacion. Suksesi vjen vetëm prej Allahut!

Këshilla jepet dy herë. Herën e parë ajo është detyrim fetar. Herën e dytë është tërheqje e vëmendjes dhe përkujtesë. Kurse herën e tretë është tërheqje e vërejtjes dhe qortim i rëndë. Më pas mbetet vetëm përdorimi i shuplakave dhe grushtave. Porse në çështjet e fesë është detyrë që njeriu të përsërisë vazhdimisht këshillën, edhe nëse i këshilluari e pranon atë apo nxehet, edhe nëse këshilluesi lëndohet apo jo.

Kur të këshillosh, bëje me zë të ulët dhe jo me zë të lartë, bëje me nënkuptim dhe jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, përveçse atëherë kur i këshilluari nuk e kap nënkuptimin dhe duhet të jesh i qartë. Mos jep këshilla vetëm me kushtin që ato të të pranohen. Po i tejkalove këto kushte, atëherë ti je vetëm një tiran që kërkon bindje dhe pushtet, jo dikush që kryen detyrën për hir të përgjegjësisë fetare dhe vëllazërisë. Kjo është një sjellje që nuk e pranon as logjika, as miqësia, është sjellje e sunduesit me rajatë e tij, e pronarit me skllevërit e tij.

Mos i kërko shokut tënd më shumë seç je i gatshëm ti ofrosh atij! Po i kërkove më shumë, atëherë je i padrejtë. Mos fito, përveçse duke marrë parasysh edhe humbjen dhe, mos merr asnjë post, përveçse duke pasur parasysh edhe shkarkimin! Në të kundërt, do ti shkaktojë dëm vetes sate dhe do të shfaqje një sjellje shumë të ulët.

Të tolerosh njerëzit egoistë dhe të mbyllësh sytë para fajeve të tyre nuk është as kalorësi, as virtyt. Përkundrazi, kjo është poshtërsi, dobësi dhe shtytje për ata që të vazhdojnë në këtë ves të keq, është mbështetje dhe ndihmë për ata në këtë veprim të lig. Në të vërtetë, toleranca është kalorësi vetëm me njerëzit e drejtë dhe altruistë. Është detyrë për të virtytshmit që ti trajtojnë njerëzit të tillë në këtë mënyrë, veçanërisht kur kjo është më e nevojshme për ata.

Dikush mund të thotë: ‘’Nëse ajo që the hedh poshtë tolerancën ndaj shokëve dhe shpërfilljen e gabimeve të tyre, duke barazuar në trajtim shokun me armikun dhe me të huajin, atëherë kjo është krejtësisht e gabuar’’. Atëherë, me ndihmën e Allahut, themi fjalë që nxisin vetëm tolerancën dhe altruizmin, jo me shfrytëzuesit, por me shokët e vërtetë. Nëse kërkon të dish se si duhet të veprosh drejt në këtë rast, atëherë mëso se, kur kushtet kërkojnë që njëri nga dy shokët të jetë altruist me tjetrin, secili prej tyre duhet të shqyrtojë problemin për të parë se kush prej tyre ka nevojë më emergjente dhe më të domosdoshme. Pastaj miqësia dhe kalorësia do të imponojnë tek tjetri detyrën për të qenë altruist me shokun. Në rast se nuk vepron kështu, atëherë ai është një shfrytëzues dhe lakmitar, që nuk duhet të tolerohet, sepse s’është as mik, as vëlla. Në qoftë se të dy ndodhen në të njëjtën nevojë dhe ngushticë, atëherë miqësia e vërtetë do to kërkonte që secili prej tyre të nxitonte të ishte altruist me tjetrin. Po e bënë këtë, janë miq të vërtetë. Kur njëri prej tyre merr nismën për të qenë altruist, kurse tjetri jo, dhe kështu sillet zakonisht, atëherë ky i fundit nuk duhet mbajtur për shok. Por, në qoftë se ai do ta merrte nismën për të qenë altruist në rrethana të tjera, atëherë që të dy janë shokë të mirë.

Nëse dëshiron të ndihmosh dikë që është nevojtar, me kërkesën e atij apo me nismën tënde, bëj vetëm atë që të kërkon ai, jo ata që dëshiron ti, përndryshe tërhiqu! Po e kalove këtë kufi, do të jesh keqbërës e jo bamirës, do të meritosh fajësimin e atij dhe të tjerëve e jo falënderim, do të sjellësh armiqësi dhe jo miqësi.

Mos i përcill shokut tënd gjëra që do ta bënin të veunate dhe që nuk do ti sillnin ndonjë të mirë po ti dinte; ky është veprim i njerëzve të ulët. As mos i fshih atij gjëra që do ti sillnin dëm po të mos i dinte; ky është veprim i njerëzve të këqij.

Mos u gëzo kur lavdërohesh për një gjë që se ke! Përkundrazi, duhet të shqetësohesh shumë, sepse mangësia jote do t’ua tërheqë vëmendjen njerëzve dhe do të bëhesh gazi i botës. Askujt nuk i pëlqen kjo gjë, përveç atij që është budalla e mendjelehtë. Mos të të vijë keq kur të qortojnë për një faj që se ke; përkundrazi, duhet të gëzohesh, sepse merita joe do tua tërheqë vëmendjen njerëzve.

Megjithatë, duhet të gëzohesh kur zotëron një cilësi që meriton të lavdërohet, edhe nëse të lavdërojnë apo jo. Ashtu sikundër duhet të mërzitesh kur zotëron një cilësi që meriton të qortohet, edhe nëse qortojnë apo jo.

Kur dëgjon të flitet keq për gruan e shokut tënd, mos e lajmëro atë, veçanërisht kur personi që ka folur është përgojues, shpifës, llafazan apo njeri që do ta heqë turpin nga vetja e tij, duke kërkuar të shtojë në shoqëri njerëzit si vetja; kjo ndodh shpesh. Si rregull, njeri duhet të flasë vetëm të vërtetën, por në këtë rast ti nuk e di nëse fjalët që ke dëgjuar janë të vërteta apo jo; di vetëm se ky është një mëkat i madh në fe. Gjithsesi, nëse ti i dëgjon këto fjalë nga një numër i konsiderueshëm njerëzish, duke e ditur që ato nuk e kanë zanafillën nga një njeri i vetëm ose, nëse arrin të shohësh të vërtetën, pa qenë në gjendje ta vësh shokun në një pozicion të tillë që ta shohë edhe ai të vërtetën, atëherë tregoji atij gjithçka në mënyrë të fshehtë dhe të butë. Thuaji atij për shembull ‘’ka shumë gra…’’ose’’ kujdes shtepinë, mëso familjen tënde, mënjanoje filan gjë, ruaju nga kjo gjë’’ etj. Në qoftë se shoku e pranon këshillën dhe tregohet vigjilent, ai do të përfitojë nga ky rast. Por, nëse ai as ruhet e as shqetësohet, ti duhet të përmbahesh e të mos i flasësh më asnjë fjalë për këtë çështje, por të vazhdosh miqësinë me të, sepse fakti që ai nuk të besoi, nuk është shkak për ta ndërprerë miqësinë. Në qoftë se ti e sheh të vërtetën dhe ke mundësi ta vësh edhe shokun tën në një pozicion të tillë, atëherë e ke për detyrë ta lajmërosh atë dhe t’ia mundësosh që të shohë provën e qartë. Nëse ai ndryshon qëndrim, atëherë është në rregull. Por, nëse ai nuk ndryshon, atëherë mos u shoqëro më me të, sepse ai është një njeri i ulët, pa mirësi dhe pa skrupuj.

Fakti që një burrë hyn fshehtazi në shtëpinë e një tjetri, është provë e mjaftueshme për qëllimin e tij të keq. E tillë është edhe hyrja e një gruaje fshehurazi në shtëpinë e një burri. Të kërkosh prova më shumë se kaq, është budallallëk. Duhet të largohesh nga një grua e tillë ose, së paku të ndahesh. Kushdo që e mban atë, nuk është larg të qenit brinar.

Njerëzit ndahen në shtatë kategori në lidhje me sjelljet e tyre:

-Disa të lavdërojnë në sy dhe të shajnë prapa krahëve. Kjo sjellje është cilësi e përgojuesve hipokritë dhe gjendet shpesh ndër njerëz.

-Disa të shajnë edhe në sy, edhe pas shpine. Kjo është shenjë e përgojuesve të pacipë.

-Disa të lavdërojnë edhe në praninë, edhe në mungesën tënde. Kjo është karakteristikë e lajkatarëve dhe arivistëve.

-Disa të shajnë në sy dhe të lavdërojnë prapa krahëve. Kjo sjellje është tipar i idiotëve dhe budallenjve.

-Njerëzit e virtytshëm nuk të lavdërojnë dhe nuk të shajnë në sy. Ndërsa në mungesën tënde ose të lavdërojnë, ose e mbajnë veten dhe nuk të shajnë.

-Përgojuesit që nuk janë hipokritë dhe të pacipë, nuk të thonë gjë në sy, por të kritikojnë prap krahëve.

-Kurse ata që rrinë larg ngatërresave, nuk merren as me lëvdata e as me kritika, si në praninë, ashtu edhe në mungesën tënde.

Të gjitha këto kategori njerëzish me këto cilësi i kemi parë dhe provuar.

Kur të këshillosh dikë, gjej një vend të veçuar dhe fol butë me të. Mos i thuaj bashkëbiseduesit tënd se këto kritika që ia drejton atij që i ke dëgjuar nga një tjetër, sepse kështu bëhesh thashethemxhi. Nëse flet vrazhdë kur të këshillosh, do ti shkurajosh të tjerët, ndërkohë që Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: ‘’ Thojini atij fjalë të buta…’’ (Kuran, 20:44), ndërsa Profeti- paqja qoftë me të ka thënë: ‘’Mos shkurajoni’’. Nëse jep këshillë me kusht që ajo të të pranohet, atëherë je i padrejtë, sepse ti mund ta kesh gabim këshillën, dhe kështu këmbëngul që gabimi yt të të pranohet, duke lënë mënjanë të drejtën.

Çdo gjë ka dobinë e vet, dhe unë kam përfituar vërtet shumë nga kokëfortësia e injorantëve. Ajo ma ndezi natyrën, i dha flakë duke u bërë shkak që të shkruaj vepra me dobi të madhe. Sikur ata të mos lëviznin e të mos zgjonin diçka që flinte brenda meje, nuk do tu isha përkushtuar atyre veprave.

Mos krijo lidhje krushqie apo kontraktuese me shokun tënd.

Kemi parë se këto dy veprime kanë qenë shkak vetëm për prishje të miqësis, edhe pse injorantët kujtojnë se ato janë shkaqe për të forcuar lidhjen miqësore. Nuk është kështu, sepse këto dy aktmarrëveshje e tërheqin secilën palë që të kërkojë interesin e vet, në një kohë që altruistët janë shumë të paktë. Kështu që me përplasjen e interesave të palëve, do të kishim zënka, të cilat do të prishnin edhe sjelljet kalorësiake. Krushqia me më pak pasoja është ajo që bëhet midis dy palëve që kanë lidhje fisnore, sepse ajo i detyron palët të jenë të drejtë, me hir a me pahir, përderisa i bashkon diçka e pandashme prej tyre, siç është origjina e përbashkët, të cilën natyra ia imponon gjithkujt ta mbrojë.

Lajme të ngjashme

Back to top button