Ibraimi: Të jesh lider, ndjenjë e mrekullueshme
Tani më janë bërë dy ditë që reprezentacioni i Maqedonisë në futboll është grumbullar në Shkup për të zhvilluar përgatitjet para dy ndeshjeve kualifikuese EURO 2016, kundër Luksemburgut dhe Ukrainës, që i luan me 9 dhe 11 tetor.
Për këto dy ndeshje në reprezentacionin e Maqedonisë në mesin e futbollistëve të ftuar janë dhe gjashtë shqiptarë, ndërsa kësaj radhe për herë të parë do të paraqitet në fanellën e Maqedonisë edhe Arian Ademi, që ka lënë reprezentacionin kroat dhe i është bashkuar shqiptarëve të tjerë.
Por kur nga reprezentacioni është larguar Goran Pandev, rolin e liderit e luan Agim Ibraimi, i cili këtë epietet e ka marrë me plotë meritë, pasi vetë mediat e kanë cilësuar të tillë.
Ai për “Portalb” ka thënë se do të mundohet këtë ta tregojë me lojë dhe se më shumë i intereson loja kolektive.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme për secilin lojtarë të jetë një lider, mirëpo unë mendoj se përsëri kryesorja është ekipi, se krejt varet se si ekipi e ngre një lojtar lart. E kam patjetër të them se shumë gjëra kamë mësuar edhe nga Pandevi, kur ishte në reprezentacion i cili ishte edhe një lider i vërtet dhe mua më vjen shumë keq që ai më nuk është në reprezentacion. Edhe një herë do e them se është një privilegj të jesh një lider dhe krah i fortë i reprezentacionit”, është shprehur Ibrahimi.
Gjithsesi Agimi ka folur edhe për ardhjen e Arian Ademit, me të cilin janë dhe në lidhje familjare (djem teze), për të cilin mes tjerash tha se do ta plotësojë një boshllëk të madh në reprezentacion.
“Sa i përket tezakut tim Arian Ademi, është një përforcim i madh, ku dihet se shumë vite me radhë na mungon një profil lojtari sikurse është Arian Ademi”, tha Agim Ibraimi, i cili po tregon formë të mrekullueshme me ekipin e tij Maribor në Ligën e Kampioneve dhe në kampionatin slloven.
Maqedonia do të luajë të enjten ndaj Luksemburgut në Shkup, ndërsa pas tri ditëve do të luajnë kundër Ukrainës. / Portalb /