Skandali seksual me jetimët në Shqipëri

Emisioni “Fiks Fare” nisi të martën në mbrëmje transmetimin e një investigimi që do të tregojë se si thithen fonde nga shoqata, që veprojnë në emër të jetimëve në Shqipëri, duke mashtruar, por edhe se si kërkohen favore seksuale, në këmbim të ndihmës për të përfituar statusin e jetimit.

Investigimi i Fiks Fare nisi pas një informacioni që mbërriti në redaksinë e emisionit për aktivitetin e shoqatës ”Jetimët në fokus “. Pretendimet mbi mënyrën e abuzimit ishin të shumta, por më e rënda ishte shfrytëzimi seksual i jetimëve nga ana e kreut të kësaj shoqate, Maksim Liço në këmbim të ndihmës për të përfituar statusin.

Investigimi nisi fillimisht në rrjetet sociale në një komunikim në Facebook të kryetarit të kësaj shoqate me një djalë jetim 17-vjeçar nga qyteti i Sarandës. Gjatë bisedës kryetari e ngacmon atë seksualisht dhe i premton ndihmë nga ana e tij. Për të ruajtur konfidencialitetin e kësaj bisede, gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me zotin Liço në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet rrjetit social Facebook. Bashkëpunëtori i Fiksit iu prezantua kreut të shoqatës “Jetimët në Fokus” si një jetim 16-vjeçar në kërkim të ndihmës. Ftesa në Facebook nga ana e zotit Liço u pranua menjëherë. Madje të menjëhershme ishin edhe pëlqimet në çdo foto të djalit të postuar në këtë rrjet.

Pas bisedave të para në Facebook bëhet edhe takimi i parë pranë zyrave të shoqatës “Jetimët në fokus”. Gjatë bisedës djali i kërkon ndihmë, ndërsa kryetari i kërkon plotësimin e disa dokumenteve që të nisin regjistrimin si jetim për ta ndihmuar më vonë në nxjerrjen e statusit të jetimit. Pasi i jep numrin e tij të telefonit celular, kreu i shoqatës i lë takim në zyrën e tij që ndodhet në kryeqytet, në rrugën e Durrësit.

Takimi i parë zhvillohet në zyrë. Liço i kërkon djalit të prezantuar si jetim 16-vjeçar që të përgatisë një sërë dokumentash, në mënyrë që t’i sigurojë shkollimin falas në një kolegj privat, por pa pagesë e më pas strehim e statusin e jetimit.

Në këtë bisedë kreu i shoqatës “Jetimët në fokus” i bën ftesën e parë djalit në shtëpinë e tij në Kombinat, nëse do të ketë nevojë për një vend për të fjetur.

Pas takimit të parë dhe bisedave në Facebook, zhvillohet një takim tjetër në zyrën e shoqatës, ku të pranishëm janë edhe disa punonjës të saj. Në këtë takim, kreu i shoqatës, Liço, i kërkon sërish plotësimin e dokumenteve dhe njërit prej punonjsëve të fillojë që ta regjistrojë djalin si një jetim 16-vjeçar. Sipas tij ky ishte dhe informacioni që djali (i prezantuar si jetim), i kish dhënë gjatë bisedave në Facebook.

Një pjesë e bisedës së transmetuar në Fiks Fare

Takimi i parë në zyrë me kreun e shoqatës “Jetimët në Fokus”

Maksim Liço: Hajde se tanët jemi të gjithë, të shoqatës

Maksim Liço: Zemër çfarë ke? I solle ato dokumentat që folëm?

Maksim Liço: Unë ta mësova problemin. Çfarë problemi të kesh tani do e flasim bashkë.

Maksim Liço: Të mundohem të të fus unë në ndonjë shkollë kështu, që të mos paguash, në ndonjë kolegj, ndonjë kështu?

Fiksi: Unë pashë një çikë në Facebook që ndihmonit…

Maksim Liço: Ore shumë mirë bëre.

Fiksi: Çfarë bëni ju? Çfarë mundësish na jepni?

Maksim Liço: Nga je?

Fiksi: Nga Tirana.

Maksim Liço: Se ku të kam parë unë, pashë një çikë fotografitë.

Maksim Lico: Hajde për çdo gjë, do ta mësoj dhe shtëpinë. Hajde për ca të kesh hall, më thuaj.

Fiksi: Po ça? Të vij të fle te shtëpia jote?

Maksim Liço: Jo mo. Hajde fli ndonjëherë. S’ka problem.

Fiksi: Të vij të fle te shtëpia jote?!

Maksim Liço: Po hajde mo, fli ndonjëherë, kur të jesh pushim apo kur të ashtu.

Fiski: Ti në shtëpi je me familjen tate, s’kam lidhje ke shpia jote.

Maksim Lico: Jo, s’e kam këtu familjen unë

Fiksi: Juve nga jeni me origjinë?

Maksim Liço: Nga Përmeti jam unë

Fiksi: Ndonjë fëmijë kështu, keni ju?

Maksim Liço: Kam dy djem. Moshë e madhe se unë jam 51 vjeç

Takimi i dytë në zyrën e shoqatës “Jetimët në fokus”

Maksim Liço: Urgjentisht të regjistrohesh

Fiksi: Të klasës së tetë?

Maksim Liço: Po të klasës së tetë.

Punonjesi i shoqatës së jetimëve: Çfarë moshe ke një herë?

Maksim Liço: 16 vjeç, po hë se e regjistrojmë. Do e regjistrojmë si jetim. Bjeri të keqen sa më parë tani. Dëftesa e klasës së nëntë, dy fotografi, certfikatat, të vdekjes, të asaj…

***

Sa është numëri i jetimëve në vendin tonë dhe në çfarë kushtesh jetojnë?

Sipas një raport të veçantë të vitit 2013 të Avokatit të Popullit “Për të drejtat e fëmijëve jetimë, përfshirë këtu fëmijet e sistemuar në institucionet rezidenciale të përkujdesjes shoqërore, si dhe të fëmijëve që shfrytëzohen për të punuar” ne vendin tonë ka rreth 31 mijë fëmijë jetim. Ata ndahen në dy kategori në jetim socialë, numri i të cilëve rritet nga vitit në vit për shkak të problemeve sociale, kryesisht varfërisë, dhe jetimë biologjikë, fëmijë që kanë humbur prindërit, të braktisur në maternitet apo në disa raste ekstreme edhe në rrugë apo në kosha plehrash.

Nga 31.000 fëmijë jetimë në mbarë vendin, vetëm 400 prej tyre trajtohen në 9 qendra rezidenciale qeveritare dhe 360 të tjerë, në 16 qendra joqeveritare (OJF).

Fatkeqësisht numëri i jetimëve në vendin tonë gjithmonë ka mbetur një numër i diskutueshëm pasi institucioni i vetëm i statistikave INSTAT nuk disponon të dhëna mbi numrin e fëmijëve jetimë. Numëri 31 mijë vjen si deduksion i përllogaritjes së ndihmës ekonomike me të cilën trajtohet kjo shtresë.

Sipas Instat Nga 700.000 individë që kanë nevojë për asistencë, 184.000 janë fëmijë, 31.000 prej të cilëve janë fëmijë jetim. Mbi 2/3 e kësaj moshe përballen me ekstremin e përpjekjeve rraskapitëse për mbijetësen, por me të prekurit nga ky ekstrem varferie mbeten femijët jetimë. Një pjesë shumë e vogel e tyre marrin asistence sociale, e cila në masen e përfitimit të saj mbulon vetëm 5% të nevojave minimale të jetes së tyre. Një pjesë shumë e vogël përfitojnë statusin e jetimit.

Po sipas raportit në vendin tonë janë deklaruar publikisht rreth 140 shoqata që merren me trajtimin e shtresave të varfëra dhe fëmijëve në nevojë, veçanerisht të fëmijëve jetimë dhe fëmijeve të ngujuar nga gjakmarrja”. Secila shoqatë ka një statut të veçantë dhe marrin formë ligjore pas regjstrimit të tyre në gjykatë./ Top Channel/

Lajme të ngjashme

Back to top button