Revoltohet Berisha: Konsiderohem ende kryeministër, do rris pagat e pensionet

Kryeministri Sali Berisha kërkon që të quhet kryeministër me të drejta të plota deri në shtator.
Sipas tij, ai nuk është kryeministër në detyrë dhe as kryeministër i një qeverie kujdestare, shkruajnë mediat shqiptare.

“Është e saktësuar në mënyrën më precize se kur mbaron mandati i një qeverie dhe kur fillon mandati i një qeverie tjetër. Kushtetuta në Europë dhe në tërësi në botë nuk njohin asnjë lloj kufizimi në veprimtarinë e qeverisë nga dita e parë në ditën e fundit të mandatit të saj.
Kushtetuta e Shqipërisë i jep parlamentit katër vjet ditë më ditë për të ushtruar mandatin.
Nuk ekziston në Europë dhe pothuajse në botë qeveria kujdestare. Qeveritë kujdestare të lidhura me zgjedhjet janë vetëm në Bangladesh, por me Kushtetutë. Gjer ditën që formohet qeveria e re, qeverinë e merr në dorë Gjykata Kushtetuese. Nuk ka asnjë kufizim, përfshi këtu edhe vendimet më të mëdha. Ata të cilët bëjnë fjalë për qeveri në detyrë, tregojnë injorancën e tyre. Qeveria në detyrë është ajo qeveri që ka dhënë dorëheqjen, dhe kryeministri është i detyruar që të qëndrojë në detyrë derisa të formohet qeveria e re. Kushtetuta është Kushtetutë dhe nuk ka të bëjë me asnjë person apo me ndonjë tjetër,” tha Berisha në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri u shpreh se një gjë e tillë është përcaktuar në Kodin Zgjedhor me konsensus që në vitin 2004. Kryeministri deklaroi në mbledhjen e qeverisë se do mbahet premtimi për rritjen e pagave dhe pensioneve.

“Rritja e rrogave për administratën është një stimul për një përkushtim më të madh dhe për një performancë më të mirë, por ka bërë edhe më të lakmueshme vendet në administratë. Kjo është një politikë konstante e jona. Vendimi duhej marrë në qershor, por ne e shmangën që të mos dukej si për qëllime elektorale. PD dhe qeveria e saj u përmbahen disa parimeve shumë solide dhe të drejta në raport me votuesit. Vendimi ishte shpallur që do bëhej në korrik për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij”, tha Berisha. Kryeministri njoftoi se pensionet do të rriten me 4 përqind, ndërsa rrogat e buxhetorëve do të rriten me 5.4 përqind.

Lajme të ngjashme

Back to top button