Bashkëpunim ndërkufitarë Maqedoni-Shqipëri, vlerë e shtuar drejtë BE-së

Ministri për vetëqeverisje lokale Lirim Shabani mori pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit të përfituesve të grandeve nga Programi i bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni 2007-2013, ku morën pjesë ministrja e Integrimit Evropian të Shqipërisë, Klajda Gjosha, Drejtori i Njësisë së Programeve Rajonale në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Yngve Engstrom, përfaqësues te OJF-ve, organeve të pushtetit lokal të zonës së programit (Korçe, Dibër, Elbasan), Dhomave të Tregtisë, Universiteteve dhe përfitues të grandeve.
Panairi është organizuar me mbështetjen e Delegacioneve te BE-së, nën kujdesin e Ministrisë së Integrimit Evropian të Shqipërisë dhe Ministrisë për vetëqeverisje lokale të Maqedonisë.

Ministrja Gjosha, në fjalën e saj në hapje të këtij Panairi theksoi se bashkëpunimi midis të gjitha vendeve të rajonit është kyç, për të çuar përpara procesin e integrimit evropian.

“Dy vendet tona ndajnë aspiratën e përbashkët për t’u bërë anëtare të BE-së dhe, në këtë drejtim, programet e bashkëpunimit ndërkufitar janë një vlerë e shtuar për këtë proces anëtarësimi, sepse nxisin integrimin dhe bashkëpunimin rajonal”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja shtoi se objektivi i përbashkët për t’iu bashkuar BE-së sjell nevojën për të forcuar bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojës, koordinimin e politikave dhe mbështetjen për secilin nga vendet , me qëllim zbatimin e prioriteteve dhe projekteve të përbashkëta strategjike.

Ministri për vetëqeverisje lokale, Lirim Shabani theksoi se, duke pasur rezultatet e këtij bashkëpunimi intensiv dhe të suksesshëm, edhe në vijim do t’i kushtohet vëmendje maksimale marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit.

“Marrëdhëniet e mira rajonale dhe atmosfera miqësore mes vendeve tona është në të mirë të gjithë rajonit. Programet e këtij lloji janë një mënyrë e mirë për të intensifikuar këto marrëdhënie”, u shpreh ministri Shabani.

Lajme të ngjashme

Back to top button