Ahmeti – Orav, diskutojnë zhvillimet politike në vend

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, kryetari Ali Ahmeti, ka pritur ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav dhe bashkëpunëtorët e tij.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Orav diskutuan për zhvillimet politike në vend, ndryshimet kushtetuese, raportin e progresit, procesin gjyqësor Monstra, etj.

Ambasadori Orav theksoi që ky takim është në shërbim të shkëmbimit të mendimeve para botimit të raportit për progresin e Maqedonisë nga ana e Komisionit për Zgjerim të Bashkimit Evropian dhe për të shqyrtuar perspektivat e Bashkimit Demokratik për Integrim për zhvillimet në vend.

Kryetari Ahmeti foli fillimisht për rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së emrit duke theksuar besimin që ekipi i ri në Bruksel do të intensifikoj përpjekjet për ta ndihmuar zgjidhjen e kontestit që do të na mundëson marrjen e datës për fillim të negociatave.
Kryetari Ahmeti gjithashtu shprehu bindjen që Raporti i Progresit do të jetë pasqyre reale e gjendjes në vend dhe që do ta përfshijë rekomandimin për marrjen e datës.

Bashkëbiseduesit gjithashtu folën edhe për procesin e ndryshimeve kushtetuese. Kryetari Ahmeti nënvizoi që do të priten vlerësimet e Komisionit të Venedikut si dhe analiza e Bashkimit Evropian për përputhshmërinë me legjislaturën e BE-së.

Në lidhje me ndryshimet e kodit penal në drejtim të ndalimit të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në konflikte të huaja, kryetari Ahmeti theksoi që BDI angazhohet kundër çdo lloji të ekstremizmit dhe keqpërdorimit të fesë për interesa individuale ose grupore.

Për procesin Monstra, kryetari Ahmeti kërkoi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për ekspertizë ndërkombëtare të provave gjatë apelit dhe shprehu shqetësim për zvarritjen e procedurave në gjykatën e shkallës së parë.

Gjithashtu u fol edhe për rrethanat në kuvend dhe mungesën e opozitës, me ç’rast kryetari Ahmeti vlerësoi që arsyetimet e opozitës për të bojkotuar Parlamentin nuk qëndrojnë dhe që LSDM dhe PDSH duhet të respektojnë pjesën e tyre të përgjegjësisë për të ardhmën e vendit dhe të kthehen në kuvend sa më parë.

Lajme të ngjashme

Back to top button