Ska leje për ndërtim pa efikasitet energjetik

Nga fillimi i vitit të ardhshëm të gjitha subjektet juridike në Maqedoni që merren me punët ndërtimore do të duhet të përgatisin Elaborat për efikasitetin energjetik që të marrin leje për ndërtim.

“Konform Ligjit për energjetikë, në të ardhmen nuk do të mund të ndërtohet asnjë objekt pa u konfirmuar se do të implenentohen masat për efikasitet energjetik. Kjo është fazë e re në sektorin ndërtimor në Maqedoni që do të hapë vende të reja pune”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini pas prezantimit të Rregullores për efikasitet energjetik në ndërtesat publike dhe Rregulloren për kontrolle energjetike në Lidhjen e Odave ekonomike.

Ai potencoi se rreth 40.000 punëtorë momentalisht punojnë në sektorin ndërtimor në vend, ndërsa deri në vitin 2020, nëse implementohen të gjitha masat për efikasitet energjetik, do të nevojiten rreth 10.000 punëtorë të ri.

“Konform rekomandimeve nga Bashkimi Evropian, Republika e Maqedonisë ka për detyrim që deri në vitin 2020 tërësisht të renovojë 1,1 milionë metra katrorë nga objektet ekzistuese ose rreth 3 për qind nga fondi privat dhe 5 për qind nga fondi publik banesor. Në shtator, Agjencia për energjetikë do ta shpallë thirrjen publike për kontrollorë energjetikë, ndërsa rreth 2.800 punëtorë do të duhet të trajnohen që të kyçen në ndërtimin e objekteve të reja”, theksoi Saraçini.

Ai u bëri thirrje të gjitha kompanive ndërtimore të paraqiten në konkursin e Agjencisë për energjetikë, t’i kryejnë trajnimet dhe të fitojnë certifikatë dhe licencë për kontroll energjetik.

Precizoi se detyra e kontrollëve energjetikë do të jetë që të japin pasaporta energjetike.

“Konform Ligjit për energjetikë në afat prej tre vjetëve të gjitha objektet publike duhet të kenë pasaportë energjetikë, i cili do të tregojë se sa energji shpenzojnë në vit. Kjo është bazë e mirë që të shihet cilat institucione shpenzojnë më shumë”, tha Saraçini.

Analiza e fundit e Ministrisë, shtoi se nga konsumi i përgjithshëm i energjisë në sektorin publik, madje 56 për qind bie në sektorin shëndetësor, ndërsa 23 për qind në sektorin e arsimit.

Kryetari i Odës Ndërtimore Sead Koçan theksoi se me vendosjen e standardeve për efikasitet energjetik hapet një erë e re në ndërtimtari.

“Kjo para se gjithash do të thotë vende të reja pune dhe rritje e shitjes së materialeve, të cilat instalohen për efikasitet të përmirësuar energjetik. Kjo do të thotë edhe se do të instalohen materiale më cilësore në banesat dhe se do të jetojmë në mjedis më të shëndoshë jetësor”, tha Koçan. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button