Mediet greke: Po përgatitet arrestimi i Sali Berishës

Qeveria e kryeministrit Edi Rama po përgatit arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha, raportuan të martën medie greke duke cituar burime nga Tirana zyrtare.

Sipas tyre, qeveria ka hartuar një plan që do të çojë në prerjen e një fletë-arresti ndaj Sali Berishës, duke u përqendruar në akuza për korrupsion e tradhti ndaj atdheut, lidhur me ngjarjen e “21 Janarit”, Marrëveshjen e kufirit detar Shqipëri-Greqi, ngjarjen e 14 shtatorit 1998, korrupsion me rrugën Durrës-Kukës dhe ngjarjen e Gërdecit.

Mediet greke citojnë se “me arrestimin e Sali Berishës, qeveria e kryeministrit Rama dëshiron të provojë se është e gatshme për t’u marrë me fenomenin e korrupsionit”, duke shtuar se “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë arsyeja kryesore për dështimin e Shqipërisë për të marrë një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”.

Ku përqendrohen akuzat sipas medieve në Greqi:

1. Ngjarja e 21 janarit 2011, ku u vranë katër demonstrues.

2. Për rastin e Gërdecit. Shpërthimi i municionit në fshatin Gërdec ku 26 persona u vranë dhe të paktën 300 mbetën të plagosur dhe 4,000 shtëpi u shkatërruan. Rasti përfshin Berishën dhe djalin e tij.

3. Ndarja e detit, marrëveshja me Greqinë për të përcaktuar kufijtë detarë. “Kjo konsiderohet tradhtia më e madhe e atdheut pas shitjes së Shën Naumit dhe kapitullimit të Ahmet Zogut. Në këtë akuzë shihen si përgjegjës Sali Berisha, kur ishte kryeministër, dhe Lulzim Basha, në rolin e ministrit të Jashtëm.

4. Korrupsioni.Berisha konsiderohet si i përfshirë në aferë korruptive në ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës.

5. Grushti i shtetit në 14 shtator 1998.

Ish kryeministri Berisha identifikohet si arkitekt i grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, ngjarje e ndodhur pas vrasjes së liderit demokrat, Azem Hajdari, shkruajnë mediet greke.

Lajme të ngjashme

Back to top button