Fullani kalon natën në qelinë e Policisë së Tiranës, djali i çon rroba (VIDEO)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e kaloi natën e parë të arrestimit në një prej qelive të paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

I arrestuar mbrëmjen e djeshme, në orën 19:45 minuta, teksa ndodhej në godinën e Bankës, në ndërtesën e ish-kompanisë VEFA në Tiranë, Guvernatori është futur në një qeli të posaçme në katin e dytë të Drejtorisë, ndryshe nga të paraburgosurit e tjerë të zakonshëm.

Ndërkohë, paraditen e sotme, djali i tij, Erik Fullani, bërë i famshëm për “arsenalin” e tij të orave luksoze, është filmuar me dy çanta në duar duke shkuar në Drejtorinë ë Policisë së Tiranës, të cilat, me sa duket, mbanin veshjet personale të të atit.

RTV “Ora News” fiksoi momentin kur Erik Fullani nxorri dy çantat nga makina ngjyrë vishnje e errët, e cila ishte parkuar përballë Drejtorisë së Policisë dhe i dorëzoi ato tek sporteli.

Guvernatori Fullani pritet të qëndrojë në ambientet e paraburgimit deri të hënën, kur duhet të dalë para Gjykatës së Tiranës për t’iu komunikuar masa e arrestit.

Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ndodhet edhe Elivar Golemi, kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë.

Dy drejtuesit e lartë të institucionit kryesor financiar në vend u arrestuan 44 ditë pas zbulimit skandalit që tronditi mbarë opinionin publik dhe jo vetëm atë, ku nga banka më e sigurtë në Shqipëri, u arrit të vidhen 713 milionë lekë.

Arrestimi i Guvernatorit është bërë nga blutë e kryeqytetit me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, dhe pas firmosjes nga Gjykata të masës së sigurisë “Arrest me burg”.

“Shpërdorim detyre” është akuza për dy drejtuesit e lartë të Bankës së Shqipërisë.  Guvernatori Fullani mbrohet nga avokati Maksim Haxhia, ndërsa Golemi mbrohet nga Fatos Shanaj./ Oranews.tv

Lajme të ngjashme

Back to top button