Mbyllen 12 gjimnaze private në Shqipëri

Ministria e Arsimit në Shqipëri ka urdhëruar mbylljen e sistemit part time në 12 gjimnaze private që funksionojnë në disa qytete të vendit.

Lajmi u bë publik nga zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj, e cila ka sqaruar se nxënësit e këtyre shkollave të mbyllura do të transferohen në shkolla të tjera publike.

“Bëj me dije një urdhër që ka dal nga Ministria e Arsimit dhe Sportit që urdhëron mbylljen e veprimtarisë mësimore me kohë të pjesshme të arsimit para universitar privat si më poshtë: “Talenti” në Durrës; shkolla ‘Migjeni’ në Durrës; Shkolla ‘Tre janari’ Durrës; shkolla ‘Iliria 1’ Elbasan, Shkolla ‘Baka’, Lushnjë; shkolla ‘Nëna Mbretëreshë Geraldinë’ Mat; shkolla ‘Vitrinat’, Tiranë; shkolla ‘Eurovizion’, Tiranë; shkolla ‘Inkus network’ Tiranë; shkolla ‘Vëllezërit Frashri’, Vlorë; shkolla ‘Sami Frashri’ Kuçovë; dhe shkolla ‘Arianiti’ Elbasan,” tha Malaj, ndërsa shtoi më tej se këto institucione kanë shpërndarë diploma për nxënësit, kur këta të fundit nuk kanë ardhur fare në shkollë.

Sipas zv/ministres këto shkolla kanë lindur një fenomen të ri negativ në arsimin shqiptar atë të kalimit në universitet me shkollë 9-vjeçare, pa bërë fare gjimnazin.

“Ka pasur raste të cilët fatkeqësisht kanë marrë një dokument pa e ndjekur fare shkollën, duke marrë maturën shtetërore dhe duke hyrë edhe në konkurse apo në universitete private dhe kjo të çon në përfundimin që mund të kemi studentë të cilët kanë mbaruar vetëm 9-vjeçaren dhe nuk kanë mbaruar shkollën e mesme. Dhe kur shërbimi nuk është i standardizuar atëherë merret masa e parë ndihmohen ata që janë bërë pjesë e këtij shërbimi jo standardizues, për tu lehtësuar apo transferuar, dhe e dyta ndëshkohen ata që nuk i përgjigjen ligjit”, tha Nora Malaj.

Institucionet e arsimit para universitar privat të përmendura nga ky urdhër do kryejnë këto detyrime; të mbyllin detyrimet për veprimtarinë mësimore për vitin 2013- 2014; të pajisin nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm shkollor gjë që do të shërbejë për transferimin nxënësve në shkollat publike; të vënë në dispozicion çdo informacion të kërkuar. Të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e pa përfunduar të shkollimit dhe çdo detyrim tjetër ndaj nxënësit; të dorëzojnë në Drejtorinë Arsimore dosjet përkatëse dhe të arkivohen dokumentacionet e dorëzuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button