Protesta e rrallë: Po përdhunohen plakat e Nartës

Një denoncim i pazakontë vjen nga fshati Nartë në Vlorë, ku banorët kanë protestuar para kishës së fshatit, duke deklaruar se prej vitesh të moshuarat janë pre e përdhunimeve.

Rreth 200 banorë të fshatit Nartë në Vlorë kanë protestuar para kishës së fshatit për grabitjet, plaçkitjet që sipas tyre kanë ndodhur kohët e fundit në këtë zonë. 

Banorët shkojnë deri aty, sa deklarojnë se ka pasur edhe raste përdhunimesh e dhunime fizike të vajzave dhe grave të moshuara, ndërsa kërkojnë angazhimin e strukturave të policisë në zbardhjen e ngjarjeve të fundit.

 “Vendosëm të mblidhemi si fshat dhe të kërkojmë një zgjidhje tek strukturat e shtetit”,- tha kryeplaku i fshatit, Nasho Zoica. “Po ndodhin çdo ditë vepra të shëmtuara. Të përdhunohen nënat, gratë nuk e lejojmë më. 

Në qoftë se është nga Narta, të varet këtu në mes të sheshit. Sot i ndodhi nënës sime, nesër mund të më ndodhë mua”, – thotë njëra prej banoreve të Nartës. 

Banorët kanë paralajmëruar se nëse ngjarjet nuk zbardhen, do të bllokojnë rrugën dhe do të ndërmarrin akte të tjera ekstreme. Por nga ana tjetër, banorët deklarojnë se një pjesë e ngjarjeve nuk janë denoncuar pasi konsiderohen tabu. 

Nga ana tjetër ka reaguar policia e Vlorës, që bën të ditur se ka pasur një denoncim tri ditë më parë për një person që ka hyrë në banesën e një shtetaseje dhe më pas është larguar pa kryer as vjedhje apo marrëdhënie seksuale me dhunë, gjithsesi mësohet se vijojnë hetimet.

 Ndërkohë policia apelon për denoncim të çdo rasti sulmi në Nartë apo në zona të tjera të qarkut, shkruan MAPO.

Lajme të ngjashme

Back to top button