Menduh Thaçi priti Ambasadorin e Republikës së Polonisë, Jacek Multanovski

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi në selinë e partisë në kuadër të takimeve intensive me përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend realizoi takim me ambasadorin e Polonisë në vend, Jacek Multanovski i shoqëruar nga znj.Marta Pzhenioslo, përgjegjëse për çështjet politike, ekonomike dhe konsullore pranë Ambasadës së Republikës së Polonisë në Shkup.

Në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike në vend, incidentin në Parlament, zhbllokimin e procesit integrues të vendit, marrëdhëniet ndëretnike dhe tema të tjera me interes të dyanshëm.
Fillimisht Kryetari Thaçi uroi Ambasadorin për zgjedhjen e Kryeministrit Polak z.Donald Tusk, për President të ri të Këshillit Evropian, që pasqyron gjendjen e Polonisë në Evropë, si një model i suksesit ekonomik.

Kryetari Thaçi informoi Ambasadorin për presionet mbi opozitën shqiptare për ta heshtur atë dhe për të miratuar vendime në dëm të popullatës shqiptare.

Ndër të tjerat në takim Kryetari Thaçi nënvizoi rëndësinë e rrugës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian si dhe rëndësinë e gjetjes së zgjidhjes për çështjen e emrit me Greqinë. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për shkak se integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike siguron stabilitet, paqe, siguri, marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Bashkëbiseduesit u ndanë të kënaqur nga takimi, me shpresë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kryetari i PDSH-së, z.Thaçi në ditët në vijim do të vazhdojë takimet dhe konsultat me përfaqësuesit diplomatik të akredituar në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button