Besimi: Presim që progresi i Maqedonisë të vlerësohet në Raportin e vjeshtës të KE

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Fatmir Besimi, sot realizoi takim me zotin Torsten Fraj, anëtar i Bundestagut gjerman nga radhët e partisë në pushtet CDU dhe zonjën Anja Çimek, përfaqësuese zyrtare e Fondacionit Konrad Adenauer.

Zëvendëskryeministri Besimi në fillim të takimit ju falënderua përfaqësuesve të RF të Gjermanisë për mbështetjen që në vazhdimësi i jep Republikës e Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u dëshmua edhe në Konferencën e Berlinit, si dhe përmes vizitave të rregullta dhe interesimit të nivelit të lartë: “Posaçërisht e çmojmë përkrahjen e Kancelares Merkel e cila në Konferencën së Berlinit të mbajtur javën e kaluar tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë mundësi t’i bashkëngjiten Bashkimit Evropian, nëse i plotësojnë kërkesat për aderim” – theksoi Besimi.

Në takim zëvendëskryeministri Besimi nënvizoi se integrimi Euroatlantik mbetet prioriteti kryesor strategjik i vendit, ndërsa Qeveria edhe më tej vazhdon me përpjekjet për zbatimin e reformave të nevojshme në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike përmes parimit të respektit dhe tolerancës së ndërsjellë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik dhe të punësimeve.

Mes tjerash, në takim u bisedua edhe për Planin e Veprimit dhe për prioritetet të cilat janë thelbësore në procesin e aderimit drejtë BE-së, të miratuara me Dialogun Aderues të Nivelit të Lartë, siç janë liria e të shprehurit, sundimi i ligjit, gjyqësia, korrupsioni dhe dialogu ndëretnik, reformat zgjedhore, reformat në administratën publike dhe kriteret ekonomike. Njëherësh, Besimi shtoi se presim që progresi i Maqedonisë të jetë i shënuar dhe i vlerësuar në Raportin e vjeshtës të Komisionit Evropian.

Lajme të ngjashme

Back to top button