Teuta Arifi vizitoi shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë

Sot, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, vizitoi shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë, për të uruar nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor. Në ditën e parë të vitit të ri shkollor Kryetarja Arifi takoi stafin udhëheqës, arsimor si dhe nxënësit në disa shkolla fillore dhe të mesme komunale, me çrrastë nga afër u njoftua me punimet e bëra gjatë pushimeve verore me qëllim përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Në shkollën e mesme profesionale Mosha Pijade, Arifi vizitoi edhe laboratorët për mësim praktik. Këtë vit me implementimin e politikave regjistruese u arrit që për 30 % të rritet numri i nxënësve të regjistruar nëpër shkolla të mesme profesionale.

Në Sh.F Liria në Tetovë gjithashtu në mënyrë simbolike u bë ndarja e dhuratave të siguruara nga fondacioni Renova për filloristet më të rinj.

“Kam kënaqësinë e veçantë si kryetare e Komunës, që me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor 2014-2015 t’ju përshëndes dhe t’ju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë të re, që shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e fëmijëve tonë drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur. Në mënyrë të veçantë, uroj vogëlushët që, për herë të parë, hyjnë në rrugën e bukur të dijes e që njëkohësisht janë e ardhmja, shpresa dhe krenaria jonë”, theksoi kryetarja Teuta Arifi me këtë rast.

Lajme të ngjashme

Back to top button