Besimi takohet me Jasharin, bisedojnë për raportin e Brukselit

Në pritje të Raportit të vjeshtës të Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane, Fatmir Besimi realizoi takim me ministrin Adnan Jashari dhe me përfaqësues të kësaj ministrie.

Si që lajmërojnë nga kabineti i tij, në takim u bisedua për shkallën e realizimit të reformave në gjyqësor që kanë rëndësi kyçe për procesin eurointegrues të vendit dhe janë pjesë e aktiviteteve të parapara me Programin nacional për Miratimin e të Drejtës së Bashkimit Evropian (NPAA) dhe Planit të Veprimit për aderimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri Besimi dhe Ministri Jashari gjatë takimit theks të veçantë vendosën mbi përpjekjet për implementimin e reformave me qëllim të avancimit të efikasitetit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor posaçërisht përmes përcaktimit të kritereve të reja për emërtimin dhe shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve publik si dhe avancimin e kualitetit të proceseve gjyqësore.
Gjithashtu, u bisedua edhe për përforcimin e kapaciteteve institucionale, përforcimin e aktiviteteve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirinë e shprehjes dhe mediave, ndryshimet në Kodin Zgjedhor etj.

Në takim u bisedua edhe për shkallën e shfrytëzimit të mjeteve në dispozicion përmes Instrumentit për Ndihmë Paraaderuese – IPA, tejet të rëndësishme për realizimin e reformave në sistemin gjyqësor.

“Në kuadër të IPA 1 në periudhën prej vitit 2007 deri më vitin 2013 janë përgatitur gjithsej 15 projekte në vlerën rreth 17 milion euro. Shfrytëzues të këtyre mjeteve përveç Ministrisë së Drejtësisë janë edhe Gjykata Administrative, Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë, Këshilli i Prokurorëve Publik të RM-së, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokuroritë publike dhe të gjitha institucionet e tjera gjyqësore.” lajmërojnë nga kabineti i Besimit.

Ai theksoi se duhet edhe më tej të kontribuohet në absorbimin më efikas të fondeve evropiane që janë të dedikuara së pari për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, e pastaj janë me rëndësi të veçantë edhe për përafrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian përmes investimit në zhvillimin socioeknomik si dhe harmonizimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button