Kosovë: Kushtetuesja i dëgjoi, tash pritet vendimi

Për më pak se dy orë, Partia Demokratike e Kosovës dhe pjesa tjetër e spektrit politik e dominuar nga blloku LDK, AAK dhe Nisma, kanë ballafaquar argumentet e tyre para Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedurat e ndjekura në seancën e 17 korrikut për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Argumentet kryesore që palët kanë prezantuar kundër njëra-tjetrës përqendroheshin kryesisht në atë se kush e përbën grupin më të madh parlamentar; PDK si fituese e zgjedhjeve apo blloku LDK, AAK dhe Nisma si koalicion paszgjedhor.

Ky ballafaqim argumentesh u shtrua gjatë seancës dëgjimore që u kryesua nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. PDK në këtë seancë është përfaqësuar nga deputeti Arsim Bajrami, kurse blloku LDK, AAK dhe Nisma nga deputetja Vjosa Osmani. Argumentet rreth seancës së 17 korrikut i ka prezantuar edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, kurse në rolin e replikuesit aty blloku kishte dërguar edhe ish-deputetin Ardian Gjini.

Kërkesa për të interpretuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ishte parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës e cila pretendon se vendimi ishte marrë duke shkelur procedurat kushtetuese./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button