Qarkullimi vetëm me letërnjoftim, peng i formimit të qeverisë në Kosovë

Qarkullimi vetëm me letërnjoftime mes Maqedonisë dhe Kosovës do të presë deri në formimin e qeverisë së re të Kosovës. Sipas autoriteteve maqedonase ekziston vullneti që ky regjim qarkullimi të vendoset edhe me Kosovën, megjithatë shtyrja erdhi për shkak të zgjedhjeve që u mbajtën në Maqedoni dhe më pas edhe në Kosovë.
“Është fakt që kjo temë u hap gjatë bisedimeve me kolegun nga Kosova, megjithatë në momentin kur tema ishte e hapur, ekzistonin pengesa teknike lidhur me përmbushjen e standardeve teknike nga pala kosovare lidhur me cilësinë e dokumenteve të tyre. Ndërkohë siç është e njohur për të gjithë, ne kishte zgjedhje në Maqedoni, pastaj zgjedhje në Kosovë, dhe ekzistojnë disa kufizime të caktuara në një periudhë të tillë për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare”, deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Megjithatë, sipas Jankullovskës tema është e hapur dhe për finalizimin e saj krahas formimit të qeverisë së re të Kosovës nevojitet edhe përmbushja e standardeve teknike.

“Besoj se pas zgjedhjes së qeverisë së re në Kosovë, pala kosovare në rast se është e interesuar do ta hapë çështjen, megjithatë standardet janë të qarta, dhe më e rëndësishme nga të, është që ato standarde të plotësohen në aspektin teknik dhe më pas qeveritë e të dyja vendeve, do të shprehen rreth mundësisë që të vendoset një regjim i tillë”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Maqedonia deri tani ka vendosur regjim qarkullimit vetëm me letërnjoftime, me Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button