Maqedoni, shpërfillen paratë e mërgimtarëve

Për katër muajt e parë të këtij viti të dhënat zyrtare të Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se emigrantë gjithnjë e më pak kanë dërguar para për familjet e tyre. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, del se nga muaji janar i këtij viti e deri në fund të muajit prill, dërgesat nga emigracioni janë për 30 milionë euro më pak, gjegjësisht katër muajt e parë të vitit të kaluar emigrantë drejt Maqedonisë kanë dërguar para në vlerë prej mbi 413 milionë euro, kurse këtë vit për katër muaj parë kanë dërguar vetëm rreth 380 milionë euro.

Njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se dy janë arsyet kyçe se pse emigrantët viteve të fundit dërgojnë më pak para në familjet e tyre në vendlindje, shkruan Gazeta Koha.

Ish-ministri i Financave Xhevdet Hajredini konsideron se arsyeja e parë që emigrantët nga Maqedonia, ku 80 për qindëshin e bëjnë shqiptarët, qëndron në rolin diskriminues të shtetit ndaj diasporës shqiptare, por edhe asaj maqedonase, dhe arsyeja e dytë, siç thotë ai, është se Qeveria e Gruevskit po e luan këto pesë vitet e fundit duke krijuar herë pas herë tensione ndëretnike, duke  destimuluar emigrantët shqiptarë që kapitalin e tyre ta investojnë në vendlindje. Ai madje thekson edhe një fakt tjetër, mostregimin e shifrës së saktë të parave të mërgimtarëve nga ana e qeverive të deritanishme.

“Jo vetëm që asnjëherë Qeveri aktuale, por edhe qeveritë e mëparshme, nuk e kanë treguar shifrën e saktë të parave që emigrantët  ua dërgojnë familjeve të tyre, ku rreth 80 për qindëshi i emigrantëve janë shqiptarë, por asnjëherë tandemi qeveritarë Gruevski- Stavrevski gjatë udhëtimeve të tyre zyrtare në vendet të Evropës dhe SHBA-ve nuk kanë takuar përfaqësuesit e diasporës shqiptare, përveç takimeve që kanë pasur me diasporën maqedonase. Rast më të freskët e keni konferencën ndërkombëtare që e organizoi Qeveria e kaluar në Shkup vetëm me diasporën maqedonase”, thotë Hajredini.

Ky rol diskriminues, thotë ai, ka ndikuar që shumë shtetas shqiptarë nga Maqedonia të humbin besimin ndaj shtetit dhe si pasojë e ndodhive të shpeshta të trazirave ndëretnike, ato jo vetëm që nuk po dërgojnë para familjeve, por me çdo kusht po i tërheqin familjet e tyre në vendet e jashtme ku ata jetojnë dhe punojnë.

“Tani më nëpër vendet e Evropës dhe SHBA-ve jeton dhe punojnë gjenerata e dytë e shqiptarëve që janë të lindur në këto shtete dhe se ata vazhdimisht po i marrin edhe të afërmit e tyre dhe kështu nuk dërgojnë më para në vendlindje. Ardhja e tyre në vendlindje është vetëm për gëzime familjare siç janë dasmat apo synetimet”, thotë Hajredini. 

Edhe drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Arben Halili, thotë se rënia e dërgesave të emigrantëve drejt vendlindjes në radhë të parë është pasojë e faktit se Qeveria tregon shumë pak interesim, për të mos thënë asgjë për gjetjen e mënyrave më të mira për shfrytëzimin këtyre mjeteve. Ai sugjeron që Qeveria paratë e emigrantëve, që janë me miliarda euro, duhet t’i orientojë në investime në sektorë të ndryshëm në Maqedoni, në hapjen e bizneseve familjare, e që rrjedhimisht do të mundësonte punësim dhe zbutje të varfërisë. /Koha

Lajme të ngjashme

Back to top button