Samiti i NATO-s, dështimi i radhës i BDI-së

Në fillim të shtatorit do të mbahet Samit i NATO-s në Britani të Madhe. Ky Samit si dhe një sërë të kaluar nuk pritet me entuziazëm në Maqedoni, nga fakti që nuk ka ftesë për anëtarësim në të. Dështimi në këtë rast, sipas analistëve, i takon Bashkimit Demokratik për Integrim pasi që kjo parti që nga dalja e saj në skenën politike, gjegjësisht 12 vite në çdo proces zgjedhor dhe në raste të shumta ia premton elektoratit integrimin në NATO. Llomotitjet e përsëritura nuk përkojnë me aktivitetin konkret të kësaj partie e cila nuk mund të bëjë as një hap përpara pa “aminin” e partnerit të koalicionit, VMRO DPMNE, qëndrimi i ngurtë për çështjen e emrit i së cilës mban peng integrimin e vendit në instancat euro-atlantike. Madje, që absurdi të jetë më i madh, BDI hyri në qeveri me premtimin se nëse nuk integrohet Maqedonia në NATO brenda 6 muajsh, kjo parti e cila tani hesht, do ta shqyrtojë vendin e saj në Qeveri.

Dihej që nuk do të ketë zgjerim të aleancës

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin për Portalb thotë se para shumë kohësh është ditur se nuk do të ketë zgjerim në samitin e Kardifit më 4-7 shtator.

“Përpos kësaj, nuk ka nevojë të presë Maqedonia nga samitet e ndryshme të NATO-s, pasi prej në samitin e Bukureshtit, u bënë me dije kushtet e anëtarësimit të Maqedonisë. Në atë samit u vendos, që Maqedonia mund të bëhet anëtare në çdo kohë, por vetëm së pari duhet të zgjidhet konteksti i emrit me Greqinë.” thotë për Portalb, Ruzhin.

Kabashi: Maqedonia afrohet me Moskën dhe jo me Perëndimin

Për analistin Gjakush Kabashi, BDI-ja nuk mund të ndryshojë emrat e shkollave në Çair dhe jo më të bëjë një politikë më madhore. Më e keqja në këtë gjendje, sipas analistit Kabashi, është se BDI-ja jep premtime se kinse mund të ushtrojë presion për anëtarësim brenda qeverisë.

“Mungesa e ftesës për NATO është rrjedhojë e natyrshme – Maqedonia vazhdimisht afrohet me Moskën në biznes e politikë dhe përfaqësuesit perëndimorë denigrohen publikisht dhe në mënyrë sistematike. Ftesë nuk do të ketë as tani dhe as në mot, meqë Maqedonia nuk është e interesuar për NATO, përfshirë këtu edhe partinë shqiptare në pushtet. Problemi i BDI-së nuk është se nuk ka vullnet dhe takat ta detyrojë partnerin e koalicionit për cilëndo çështje – madje as diçka si emrat e shkollave në Çair – por që manipulojnë me retorikë se kinse do të ushtrojnë presion për anëtarësim brenda qeverisë. Me këtë udhëheqësi që e ka për momentin, Maqedonia nuk do të futet as në NATO dhe as në BE. Faji për këtë është i përbashkët brenda koalicionit qeveritar dhe kjo është kuptuar qartë tek aleatët.”

Politikë e dështuar e BDI-së

“Në gjithë këtë proces natyrisht që ka dështuar politika e BDI-së, por edhe i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Fatkeqësisht kohët e fundit kanë dalë intelektualë të afërt me VMRO-në, që mbështesin politikat anti-BE dhe anti-Nato, por rrugë tjetër për Maqedoninë nuk ka. Ka ardhur koha që BDI-ja t’i tregojë dhëmbët VMRO-së se nuk do tolerojë mos anëtarësimin e vendit në NATO, vetëm për tu ruajtur karrigia e pushtetit të Gruevskit. Pasi ky i fundit e ka thënë prej kohësh: mes NATO-s dhe emrit zgjedh këtë të fundit.” thotë për Portalb, Ruzhin. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button