Asgjë nga projekti për hekurudhat, treni rreziku më i madh për tetovarët

Sinjalizimi i mangët ka qenë njëra ndër arsyet kryesore të aksidenteve të shpeshta tragjike hekurudhore në rajonin e Pollogut.

Me sa duket edhe gjatë kohë vendkalimet hekurudhore do të ngelin akoma të rrezikshme për qytetarët të cilët janë të detyruar kalojnë nëpër to pasi që projekti për rinovimin e tyre nuk do ta sheh dritën e bardhë në një të ardhme të shpejtë. 

Drejtori i hekurudhave të Maqedonisë, Irfan Hasani për Portalb thotë se është i vetëdishëm se duhet të rregullohet sinjalizimi në vendkalimet nga Tetova dhe më tej nga fshatrat drejtë Gostivarit e Shkupit.

“Por ky është projekt shumë i madh dhe do të duhet një periudhë më të gjatë kohore për ta realizuar. Ai mendojmë se do të kushtojë 150 mijë euro” tha Hasani duke mos precizuar se kur ose çfarë konkretisht do të bëjnë në këtë drejtim.

Ai tha se edhe Komunat përkatëse mbajnë përgjegjësi ndërsa fajin për aksidentet ua hodhi edhe vetë qytetarëve.

“Ka shenja dhe  udhëtarët duhet ti respektojnë ato. Ata vetë duhet të kenë kujdes kur të kalojnë nëpër vendkalimet e tilla” tha Hasani për Portalb.

Viteve të fundit është shtuar dukshëm numri i aksidenteve ku automjetet përplasen me trenat, para disa ditëve një traktorist e humbi jetën nga goditja e trenit ndërsa vitin e kaluar në Tetovë humbi jetën një i ri.

Deri sa të rregullohet sinjalizimi në hekurudha qytetarët do të duhet të jenë të kujdesshëm sepse në të kundërtën mund të jenë viktima të trenit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button