Erdogan: Perëndimi të tregohet më i sinqertë për ngjarjet në Egjipt

Pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të metrosë Esenler-Bashakshehir në Stamboll, kreu i qeverisë turke e përqendroi pothuajse të gjithë fjalimin e tij mbi puçin ushtarak në Egjipt. Ai dënoi grushtin ushtarak në Egjipt, si një atentat ndaj demokracisë, dhe hipokrizinë e vendeve perëndimore që refuzojnë ta quajnë grusht shteti rrëzimin e Mursit.

Shefi i ekzekutivit turk theksoi se në demokraci, çdo rrugë tjetër përveç kutive të votimit është e jashtëligjshme.

“Në Egjipt është bërë një grusht shteti. Askush të mos përpiqet të mashtrojë njerëzit. Grushti i shtetit është një metodë e keqe dhe e dëmshme, pavarësisht se ndaj cilit bëhet, cilin ka si objektivë dhe cilin rrëzon nga pushteti. Ai është vrasës i demokracisë dhe të ardhmes. Gjatë asaj kohe, llogaria kërkohet në kutitë e votimit”, deklaroi Erdogan.

Kryeministri turk kritikoi edhe shoqërinë ndërkombëtare. “Përballë ngjarjeve në Egjipt, e gjithë bota po i nënshtrohet një testi mjaft të qartë mbi sinqeritetin. Perëndimi, i cili në bisedimet private me ne thotë gjithnjë se është kundër grushteve, këtë herë po hesht. Shoqëria dhe institucionet ndërkombëtare nuk demonstruan një qëndrim parimor dhe të sinqertë përballë kësaj padrejtësi dhe mizorie, që po përjetohet përpara syve tanë. Ata që mbështeten tek armët e tyre dhe tek fuqia mediatike, nuk mund të ndërtojnë demokracinë. Demokracia ndërtohet me anë të votës”, tha numri 1 i Ankarasë zyrtare. /trt/

Lajme të ngjashme

Back to top button