Rashiq: Serbët, të manipuluar si nga Prishtina ashtu edhe Beogradi

Serbët “autoktonë” në Kosovë duhet të vendosin vetë për ardhmërinë e tyre dhe të mos ndikohen as nga Prishtina as nga Beogradi, ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, kryetari i Partisë Progresiste Demokratike është shprehur se Beogradi nuk i ka ndihmuar serbët në formën siç është pritur me ide e propozime ekonomike. Kurse krijimi i Listës Serbe, sipas Rashiqit, ka zbehur kapacitetet autoktone të serbëve.

Duke folur për të ashtuquajturin “Park i Paqes” mbi urën e Ibrit, Rashiq ka thënë se ky problem nuk mund të zgjidhet nga shqiptarët dhe serbët, pa ndërhyrjen e Brukselit.

Ministri në detyrë i Punës dhe i Mirëqenies Sociale ka vlerësuar se organizatat ndërkombëtarë të pranishme në Kosovë duhet të angazhohen më shumë nëpërmjet projekteve të ndryshme për t’i zbutur dallimet dhe paragjykimet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Marrëveshja po përdoret për qëllime politike

KD: Sa ka arritur t’i relaksojë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dialogu Kosovë-Serbi, i zhvilluar me ndërmjetësimin e Brukselit. A është dashur ndoshta që Qeveria e Kosovës të fokusohet më shumë në një dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, për t’i bërë ata pjesë të sistemit?

Rashiq: Sa u përket bisedimeve, mendoj se janë dy paralele. E para, që Marrëveshja e Brukselit parasheh vazhdimin e negociatave me Beogradin, pra në mënyrë afatgjatë me përkrahjen e serbëve dhe shqiptarëve. Por, po ashtu nevojitet edhe dialogu me serbët e Kosovës, të cilët kanë një autonomi apo janë autoktonë këtu në Kosovë.

Kjo është çështje të cilën duhet ta adresojë jo vetëm Qeveria e ardhshme, por gjithashtu edhe spektri gjithëpërfshirës politik i shqiptarëve që parimisht kanë përgjegjësi ndaj serbëve të Kosovës që ta vazhdojnë një dialog të mirëfilltë, i cili do të rezultojë me atë që serbët të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve në Kosovë, qoftë në nivelin lokal apo në atë qendror.

Kjo nuk mund të bëhet pa pasur një përfaqësim autokton të serbëve. Këto janë dy drejtimet të cilat unë konsideroj se e kanë rëndësinë e vet dhe përgjegjësinë duhet ta marrin partitë shqiptare, sepse shumica duhet ta marrë përgjegjësinë për të gjithë ata që janë pakicë./Koha Ditore/

Lajme të ngjashme

Back to top button