Dita e të rinjve, “kambanë alarmi” që nuk trazon askënd

Dita ndërkombëtare e të rinjve, lëshon alarmin për perspektivën e zymtë të të rinjve në Maqedoni. Vërejtjet për politikat e gabuara të qeverisë dhe nga ana tjetër, përkujtimi i kësaj dite nga Ministria e Ekonomisë duke shpalosur projekte për të inkurajuar të rinjtë të fillojnë biznese nëpërmjet kreditimit, nuk qajnë hallin e vërtetë për të rinjtë e këtij vendi, kështu vlerësojnë të paktën disa të rinj të cilët nuk mund të pajtohen me heshtjen e organizatave që funksionojnë në emër të tyre, por që nuk ngrenë zërin qoftë edhe në ditë ndërkombëtare të të rinjve, për shkak të politizimeve dhe varshmërisë nga politika.

“Ezaurimi i problemeve të të rinjve nuk mund të jenë objekt i tribunave shterpe që shfrytëzohen për të plasuar premtimet e rrejshme për të rinjtë”, thotë Dritan Abdiu, jurist i diplomuar.

Në këtë ditë bëhen të pakapshëm të gjitha forumet dhe organizatat që në emër të veprimtarive jo politike përfitojnë nga ajo.

“Numri i madh i të rinjve të papunë, që sipas statistikave të prezantuara më parë arrin në 58 për qind si dhe tendenca absolute e të rinjve për të kërkuar një të ardhme më të mirë në ndonjë vend tjetër, nuk u ka bërë shumë përshtypje as partive politike dhe as organizatave joqeveritare për reaguar më fuqishëm”, thotë Jetmir Imeri, ekonomist i papunë.

Me rastin e ditës botërore të të rinjve, LSDM, ka alarmuar për numrin e madh të të rinjve të papunë. Sipas kësaj partie 58 për qind e të rinjve janë të papunë dhe si pasojë e kësaj ata çdo ditë largohen nga vendi.

Papunësia e të rinjve dhe largimi i tyre nga vendi është pasojë e politikave të gabuara të qeverisë”, theksoi sot kryetari I të rinjve të LSDM-së, Darko Kekenovski. Sipas tij është dëshpëruese fakti se Maqedonia mbetet pa njerëz të rinj. Sipas tij numri prej 250 mijë të larguar lëshon alarmin.

Ministria e ekonomisë mundohet të përkujtojë në këtë ditë për një perspektiv më ndryshe për të rinjtë. Ministri Neziri u ka bërë thirrje të rinjve që të aplikojnë në projektin “Gara për fillimin e një Biznesi”.

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri sot promovoi Projektin, “gara për fillimin e një biznesi”, përmes të cilit të rinjve dhe studentëve u ndahet ndihmë e pakthyeshme financiare për fillimin e një biznesi.
Projekti gara për fillimin e një biznesi “Bëhu perspektiv-fillo biznesin tënd” organizohet për herë të dytë, dhe përmes tij Ministria e Ekonomisë, pesë biznes planet më të mira do ti financon me mjete të mjaftueshme për të themeluar një sipërmarrje.

Projekti realizohet në dy faza, informoi ministri Neziri, duke shtuar se gjatë fazës së parë janë përzgjedhur 40 idetë më të mira për biznes, ndërsa në këtë fazë do të përzgjedhin 5 planet më të mira, të cilat do të subvencionohen dhe do të themelohen pesë ndërmarrje të reja.

‘Jam thellësisht i bindur se sipërmarrësit e ardhshëm nuk duhet vetëm të inkurajohen, por edhe të shpërblehen, prandaj në kuadër të këtij projekti, Ministria e Ekonomisë do të mbështet me çmime në të holla 5 planet më të mira të biznesit, në vend të 3 sa ishin vitin e kaluar, dhe atë si më poshtë:
Vendin e parë me 330.000 denarë, vendin e dytë me 230.000 denarë, vendin e tretë me 130.000 denarë, vendin e katërt me 100.000 denarë dhe vendin e pestë me 60.000 denarë’, tha ministri Neziri.

Një projekt i tillë mirëpritet nga të rinjtë, por disa deklarojnë se kanë shumë paqartësi për të shfrytëzuar këto kredi. Disa ndihen të dekurajuar se vështirë mund të vijnë tek kredit për biznes të ndara nëpërmjet projekteve qeveritare pa pasur lidhje politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button