Ulen remitencat në Shqipëri

Ulen remitancat, njoftoi Banka e Shqipërisë (BSH) në statistikat për bilancin e pagesave. Në fund të tremujorit të parë 2014 ato arritën në vlerën më të ulët të këtyre viteve, 115,9 milionë euro. Në tremujorin e katërt të vitit 2013, dërgesat emigrantëve ishin 159 milionë euro, ndërsa në tremujorin e parë 2013, arritën në 120.9 milionë euro.

Ato janë një komponent thelbësor në llogarinë korrente të Bilancit të Pagesave. Duke komentuar këtë shifër të ulët, Banka e Shqipërisë thekson se “Maturimi i ciklit të emigracionit, kushtet jo të favorshmetë tregut të punës në vendet ku emigrantët shqiptarë janë rezidentë dhe rikthimi i një numri prej tyre në atdhe, kanë ndikuar në vijimësinë e rënies së pandërprerë të remitancave dhe në humbjen e një pjese të bazës së flukseve financiare të dërgueshme drejt vendit tonë”.

Edhe Kryeministri Edi Rama, duke folur për modelin e ri ekonomik, ka nënvizuar idenë se tashmë ky burim të ardhurash për ekonominë nuk duhet konsideruar si më parë, prandaj duhen kërkuar fusha të reja për rritjen ekonomike. Qeveria planifikon të fuqizojë agrobiznesin dhe sektorin e industrisë nxjerrëse, të cilat mund të mbajnë një peshë më të madhe në rritjen ekonomike.

Lajme të ngjashme

Back to top button