Zbulohen pasuritë e para të 10 të akuzuarve për vjedhje në Bankën shqiptare

Verifikimi i pasurive të personave të arrestuar të dyshuar si përgjegjës, apo si autorë në vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, duket se ka dhënë frytet e para.

Një fakt i tillë bëhet i ditur për “Shekullin”, nga burime të organit të akuzës që i referohen rezultateve paraprake nga verifikimet e pronësisë të kryera nga organi i akuzës.

Nga verifikimet paraprake në Zyrën e Regjistrimit të Paluajtshme, janë identifikuar të 7 objekte pasuri të paluajtshme, në pronësi të 10 të arrestuarve për vjedhjen e bankës, që dyshohet të kenë lidhje me 713 milionë lekët që i mungojnë sot Thesarit të Shtetit.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Bankës së Shqipërisë, duket se i kanë paraprirë dyshimeve dhe veprimeve të mundshme të prokurorisë, pasi asnjë kacidhe nuk u është shtuar llogarive të tyre bankare, që nuk justifikon të ardhurat e tyre. Burime pranë grupit hetimor konfirmuan për gazetën “Shekulli” të dhënat që ende janë në fazën e verifikimit dhe vlerësohen si sekrete të dosjes hetimore.

Gjithsesi verifikimet vijojnë dhe janë në përditësim e sipër, pasi momentalisht po ecet vetëm mbi bazën e dyshimeve paraprake. Piketimi i këtyre 7 pasurive të paluajtshme (biznese, apartamente dhe troje), në pronësi të të dhjetëve, ndodhi që në çastet e para, kur oficerët e Policisë Gjyqësore, po plotësonin dosjen hetimore për llogari të Prokurorisë së Tiranës.

Komunikimet e hetuesve me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bankave në nivelit të dytë nxorën në dritë pikërisht disa prona, të blera nga viti 2010 e në vijim, kohë kur supozohet se ka nisur vjedhja. Tashmë ato pasuri janë shënuar kryq të kuq në fashikujt voluminozë të prokurorisë. Të njëjtat burime thanë se bëhet fjalë për disa pasuri të paluajtshme, të cilat mendohet se ndodhen në Tiranë dhe në vijën bregdetare.

Nuk bëhet e ditur në emër të cilit prej 10 të arrestuarve rezultojnë këto prona, por se konfirmojnë ekzistencën e tyre nga verifikimet e hollësishme, ndërsa nga përgjigjja përfundimtare në hipotekë do të merret vesh zyrtarisht një gjë e tillë, pasi këto elementë do t’i shtohen dosjes hetimore.

Hetuesit thanë se lista e personave të cilëve po iu verifikohen pasuritë e kalon shifrën 50, pasi përfshihen edhe familjarët e të dhjetë të akuzuarve. Në një vëzhgim të pak ditëve më parë, gazeta “Shekulli” ra në gjurmët e 3 pasurive të paluajtshme, në pronësi të Mimoza Bruzias dhe vëllait të saj, më konkretisht një dyqan dhe 2 apartamente banimi, ku një prej këtyre të fundit ishte blerë para 3 vitesh.

Fqinjët i konfirmuan këto pasuri, ndërsa prokuroria i ka përfshirë edhe ato në listën e verifikimeve në Hipotekë. Hetimet po drejtohen nga prokurori Ramadan Troci, ndërsa veprimet janë bashkërenduar me arrestimet e ekzekutuara nga Policia e Tiranës. Hetimi i përshkallëzuar, duket se po nxjerr përgjegjësit ligjore gjithnjë e më lart. Duke nisur nga fundi, punonjësit ua kanë hedhur fajin shefave, nisur nga shkalla e fundit e zinxhirit të përgjegjësisë, deri tek më e larta.

Kjo pasi mes dokumenteve të sekuestruara nga hetuesit në repartin X përmendet se Bashkim Xhilaga duhej të firmoste, pasi ishte përgjegjësi për arkën stok dhe në veprim në Qendrën e Emisionit.

Ai dhe 4 varësit e tij, specialistët Petrit Ramohitaj, Liljana Tusha, Lavdim Cani dhe Myzejen Belba duhej të rakordonin të gjitha veprimet për të verifikuar çdo ditë gjendjen e sportelit dhe të ndiqnin lëvizjet e vlerave monetare që lëvizin nga sportelet te magazinat, si edhe të mbanin nga një çelës për arkën stok e në fund të ditës ta dorëzonin në kasafortë.

Mirëpo, rezulton se të tri kopjet e çelësave mbaheshin nga Ardian Bitraj, i cili ka përfituar nga ky lëshim, për të vjedhur shuma të mëdha lekësh, duke i fshehur në trup dhe më pas i nxirrte nga banka, ku e priste nipi i tij Klevis Bitraj.

Momentalisht hetimet arritën mesin e këtij zinxhiri, tek Dorian Çollaku, ish Drejtori i Qendrës së Emisionit që kishte nën administrim repartin Linzës , i cili në cilësinë e Drejtorit të Repartit të Emisionit, akuzohet se shpërdoroi detyrën, duke mos nxjerrë rregullore të brendshme për vartësit e tij./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button