Papa do mbajë meshë te “Nënë Tereza”

Punimet  për rindërtimin e Sheshit Nënë Tereza në Tiranë kanë nisur këtë fundjavë  për të qenë  gati më 21 shtator kur Shqipërië  pritet ta vizitojë Papa Françesku. 

Në këtë shesh është planifikuar të mbahet mesha e shenjtë, predikimi i Atit të Shenjtë, lutja e engjëllit në Zot si dhe  fjalët e Atit të shenjtë të cilat do të përcillen para mijëra qytetarëve që pritet të mblidhen në këtë këtë ditë të rëndësishme.

Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të zhvilluar në fund të muajit korrik  u miratua lëvrimi i një fondi prej rreth 3.3 milion dollarë nga Bashkia e Tiranës për restaurimin e sheshit  Nënë Tereza.

Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se ndërhyrja nis me heqjen e shatërvanit shumëvjeçar, që prej vitesh luan rolin e një rrethrrotullimi, në vend të të cilit parashikohet ndërtimi i një pasqyre ujore së bashku me dy shatërvane në anë të saj.

Ndërkohë që do të bëhet restaurimi i fasadës së godinës  së Univeristetit Politeknik, Godinës së Rektoratit si dhe do të bëhet riveshja e  shkallëve në të tre anët e sheshit Nënë Tereza.

Përveç këtyre objekteve restaurim fasade do t’i bëhet edhe godinës së Muzeut Kombetar në të cilën janë vendosur skelat paraditen e së shtunës.

Sipas burimeve në Bashkinë e Tiranës punimet do të kryhen gjatë muajit gusht dhe në javët e para të shtatorit  me ritme të shpejta me qëllim që gjithçka të jetë gati për këtë vizitë të parë të Papa Françeskut në Shqipëri.

Udhëtimi  apostolik i Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, që do të zhvilohet në Tiranë më datën 21 shtator parashikon një axhendë të ngjeshur që do të zgjasë plot 11 orë  në  vendin tonë. Ai niset në orën 7 e 30 nga Aeroporti i Fiumicinos në Romë  drejt Aeroportit Ndërkombëtar  Nënë Tereza në Tiranë  ku do të pritet nga Kryeministri i vendit Edi Rama.

Me pas nën një siguri të rrepte e cila mundësohet nga Vatikani dhe shteti  shqiptar, Papa  udhëton drejt presidencës në kryeqytet ku do të zhvillojë një takim me Presidentin dhe autoritete të tjera të vendit.

Në orën 11  në sheshin Nëna Tereza  Papa Françesku do të mbajë meshën e shenjtë . Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri Papa  do të lëvizë me një makinë të thjeshtë të hapur mundësuar nga autoritetet tona dhe jo me makinën e bardhë që  është parë të lëvizë gjatë vizitave të tij në vende të tjera.

Do të zhvilloje takime me Ipeshkvinjtë në Tirane dhe krerë të besimeve të tjera. Në axhendën e Papës është planifikuar dhe një vizitë në qendrën e fëmijeve Betania në Fushë-Krujë .

Nga Fushë-Kruja ai do të udhëtojë drejt Aeroportit Nënë Tereza ku do të zhvillohet një ceremoni  për largimin e Papës që përpmbyll vizitën tij në vendin tonë dhe në orën 20 nis fluturimi i Papa Franceskut drejt aeroporit të Fimucinos në Romë.

Kjo  është vizita e dyte e një Pape ,pas vizitës së Papa Gjon Palit të Dytë në prill të vitit 1993. 

Lajme të ngjashme

Back to top button