Malaj: Rritja e ekonomisë dhe punësimi do jenë matësi i sukseseve reale të qeverisë

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, mendon se rritja e ekonomisë dhe punësimit do të jetë testi i vërtetë i qeverisë. Ai nuk
nxitohet të japë një vlerësim fundor për punën e kabinetit që po administron vendin prej pothuaj një viti dhe është kritik me analizat e 300-ditëshit të parë të ministrive, ku nga titullarët përkatës u radhitën vetëm vargje suksesesh. “Populli thotë se punët e mira flasin vetë. Shpresoj të mos ndodhë e njëjta gjë për çdo treqind ditë”. Nuk harron të vlerësojë miratimin e disa reformave, sipas tij të zvarritura, por thekson se mbetet të shihet sesi ato do të zbatohen. “Rivendosja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare, pagimi i detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe ndërhyrja në Lazarat, janë disa rezultate konkrete”, – vërën ish-deputeti i PS-së, që në zgjedhjet e fundit garoi në Qarkun e Vlorës si kandidat i pavarur.

Ndërsa për ngjarjet në fushat e tij profesionale, atë të financave dhe ekonomisë, Malaj gjykon se politikat dhe masat lehtësuese mbështetëse për çdo investim privat duhet të dominojnë mbi fokusimin e tepruar në disa raste për politika dhe masat penalizuese. Sipas tij, ulja e deficitit dhe borxhit duhet të arrihet jo nga “mosrealizimi” i shpenzimeve dhe investimeve publike, por nga realizimi ritmik i të ardhurave buxhetore.

Ndonëse nuk preferon të zgjatet në komentet për klimën në grupin e deputetëve socialistë, ku javët e fundit ka pasur përplasje, Malaj sugjeron se harmonizimi më i mirë i mirëqeverisjes së vendit me thellimin e modernizmit të PS-së, është jetik për të ardhmen dhe cilësinë e kontributeve të saj në sfidat historike të vendit.

Për vjedhjen e 7 milionë dollarëve në Bankën e Shqipërisë, ai shton se siguria e depozitave të qytetarëve vlerësohet e plotë edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare.“Rasti i Bankës së Shqipërisë ka të bëjë me kredibilitetin e një institucioni, të cilit i është garantuar me ligj një pavarësi shumë e madhe”, – shprehet Malaj.

 Cili është mendimi juaj për performancën e qeverisë në 300 ditët e para?

Treqind ditë janë jo të mjaftueshme për të “certifikuar“ performancën e çdo qeverie, ndoshta janë të mjaftueshme për të qartësuar prioritetet e tyre kryesore.

A shihni teprim në analizat e ministrive në të cilat flitet vetëm për suksese këto 300 ditë?

Shpresoj të mos ndodhë e njëjta gjë për çdo treqind ditë. Populli thotë se punët e mira flasin vetë. Ndaj mund ta përdorin gjithnjë e më shumë kohën dhe përkushtimin e tyre për rezultate që të flasin vetë.

A po bën më mirë kjo qeveri se ajo e kaluara dhe nëse po, çfarë ?

Disa arritje janë konkrete, disa reforma të zvarritura janë miratuar në parlament. Sfidë mbetet cilësia e implementimit të tyre. Rivendosja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare, pagimi i detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe ndërhyrja ne Lazarat, janë disa rezultate konkrete.

Po në ekonominë dhe financat e vendit, ku ringritja duket ende larg, a po bëhet mirë dhe çfarë do të sugjeronit ju të ndryshonte?

Reformat ekonomike dhe politikat e taksave nuk veprojnë në mënyrë të menjëhershme. Ekonomia gjatë vitit 2014 do të ketë një rritje më të madhe, nga 0.5% në 1.7 – 2% e GDP-së. Duke filluar nga viti i ardhshëm borxhi publik dhe deficiti janë projektuar të fillojnë trendin zbritës duke i zbutur sfidat e stabilitetit të financave publike. Një rritje më e lartë e ekonomisë dhe punësimit do të jetë matësi i sukseseve reale të qeverisë. Politikat dhe masat lehtësuese e mbështetëse për çdo investim privat duhet të dominojnë mbi fokusimin e tepruar në disa raste për politika dhe masat penalizuese. Programimi, përzgjedhja dhe realizimi i buxhetit, sidomos në krahun e shpenzimeve publike, kërkojnë një përmirësim cilësor të konsiderueshëm. Ulja e deficitit dhe borxhit duhet të arrihen jo nga “mosrealizimi” i shpenzimeve dhe investimeve publike, por nga realizimi ritmik i të ardhurave buxhetore. Investimet publike, identifikimi i prioriteteve, reduktimi i copëzimit elektoral të tyre dhe realizimi harmonik gjatë çdo viti buxhetor përmirësojnë menaxhimin e shpenzimeve publike dhe rrisin efikasitetin e taksave.

A mund të dalim nga kriza nëse vijojmë të shtrëngojmë rripin dhe të mos rrisim investimet në funksion të zhvillimit?

Pyetjet tuaja, në jo pak raste retorike, e dëmtojnë kontributin e përgjigjeve. Qeveria duhet të përmirësojë procesin e politikëbërjes dhe të administrimit publik. Rritja e cilësisë së ligjeve, transparenca e përgatitjes së tyre, bashkëpunimi e dialogimi me grupet e interesit që në fazat e para, janë standarde të detyrueshme të mirëqeverisjes. Legjislacioni ekonomik dhe ai i taksave duhet të jetë sa më i qartë, sa më i thjeshtë dhe me elemente nxitëse për rritjen ekonomike. Investimet, sidomos ato private duhet të rriten. Investimet publike, brenda tavaneve makroekonomike, duhet të përzgjidhen dhe implementohen me shumë përgjegjësi. Përfundimi i investimeve të papërfunduara duhet të jetë kusht i panegociueshëm në hartimin e buxheteve të ardhshme.

Sinjalet nga bujqësia dhe turizmi janë të ndrojtura, për të mos thënë jo të mira. A janë ende këta sektorët që mund të sjellin ndryshimin?

Politikat lehtësuese dhe nxitëse të qeverisë duhet të përfshijnë gjithë ekonominë. Bujqësia, për shkak të efekteve sociale, për shkak të shkallës së ulët të produktivitetit dhe për shkak të shkallës së lartë të ekspozimit nga fatkeqësitë e natyrës, kërkon politika dhe instrumente specifike në mbështetjen e saj. Politika e BE-së mund të shërbejë si një referencë shumë e mirë për modernizimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm rural në vendin tonë. Potencialet në rritje të turizmit kushtëzohen nga përfundimi i investimeve publike në garantimin e furnizimit me drita, ujë dhe përpunimin e mbetjeve. Krijimi i linjave të kredive me kushte lehtësuese për rritjen e kapaciteteve turistike në vend, duhet të jetë pjesë e strategjisë së zhvillimit të turizmit.

 Çfarë panorame politike shihni sot në grupin parlamentar të PS dhe në tërësi në këtë parti?

Analizat, duke i parë nga jashtë zhvillimet në grupin parlamentar të PS-së, mund të jenë jo të plota. Përgjigjet e kolegëve brenda grupit mund të jenë më realiste dhe më të dobishme jo vetëm për lexuesit tuaj. Një harmonizim më i mirë i mirëqeverisjes së vendit, me thellimin e modernizmit të PS-së është jetik për të ardhmen dhe cilësinë e kontributeve të saj në sfidat historike të vendit. Këto procese duhet të ecin paralel.

A duhet të vazhdojë qeveria të mos përfillë kërkesat e mbështetësve të saj (votuesve dhe anëtarëve) për punësim?

PS nuk ka qenë nën presion të militantëve për punësim, por anëtarët dhe mbështetësit e saj gjithmonë kanë qenë kritikë nëse mundësia e tyre për punësim pengohej për interesa nepotike apo pushtet politik abuziv të disa individëve.

A ka sipas jush ndryshim në performancën e administratës së vendit, e kam fjalën për agjencitë kryesore; tatime, doganat, prona, shëndetësi, transport etj., apo situata është e njëjtë?

Nuk jam mbështetës i “arritjeve të mëdha” në kohë të shkurtër, sidomos në sektorë kaq të rëndësishëm. Vlerësoj më shumë reformat me objektiva të qartë që prodhojnë rezultate të qëndrueshme. Profesionalizmi i administratës publike është i kushtëzuar nga cilësia e përzgjedhjes, trajnimi dhe siguria e karrierës profesionale.

Me reformën në drejtësi, a nuk do të kemi një përsëritje të pushtetit të PD, që akuzohej se po kërkonte të shtrihej edhe në institucionet e pavarura?

Vendi ynë ka shumë nevojë për ndërtimin e institucioneve të forta, ku ndahen dhe balancohen pushtetet. Kjo do të bënte edhe më të qartë dallimin me modelin e qeverisjes së PD-së, dështimi i së cilës e rivërtetoi aksiomën politike se pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute.

Ditët e fundit është zbuluar dhe skandali i vjedhjes së Bankës së Shtetit. Si njohës i mirë i fushës së financave dhe çështjeve ekonomike, sa i sigurt është sistemi bankar në vend dhe ai i Bankës së Shqipërisë në veçanti?

Siguria e sistemit bankar të vendit tonë, që nënkupton garancinë për depozituesit, vlerësohet e plotë edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare. Rasti i Bankës së Shqipërisë ka të bëjë me kredibilitetin e një institucioni, të cilit i është garantuar me ligj një pavarësi shumë e madhe. Kjo sepse bankave qendrore u kërkohet të mbrojnë ekonominë nga politikat populiste afatshkurtra dhe nga dështimet e bankave të nivelit të dytë, të cilat ato kanë detyrën ligjore t’i mbikëqyrin rreptësisht. Zakonisht, krizat e depozitave bankare vijnë nga dështimi i bankave të nivelit të dytë. Vendi ynë aktualisht nuk ka një rrezik të tillë, ndaj vlerësohet i sigurt. Ndërsa vjedhja për një periudhë kaq të gjatë në bankën qendrore të një vendi dhe në shuma të konsiderueshme, si dhe rastet e vjedhjes së bankave të nivelit të dytë nga punonjësit e tyre, nxjerrin në pah probleme të rënda. Bankat janë institucione besimi, qytetarët u besojnë kursimet e tyre, ato janë një treg i mbikëqyrur si për standardet e biznesit, ashtu dhe për kriteret e stafeve të menaxhimit të tyre. Nëse banka qendrore jep aprovim për menaxhuesit kryesorë të bankave të nivelit të dytë, bankat e nivelit të dytë duhet të kenë kritere cilësore përzgjedhëse për stafet e tyre. Zbatimi strikt i ligjeve në fuqi për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë, do t’i parandalonte këto raste.

Sa përgjegjësi ka guvernatori Fullani për këtë vjedhje dhe ç’mendoni për debatin rreth dorëheqjes së tij?

Kolegët në komisionin e Ekonomisë kanë atributet ligjore të kontrollit parlamentar mbi institucionet kushtetuese, ku bën pjesë edhe Banka e Shqipërisë. Ky kontroll përfshin përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe të Inspektorit të Përgjithshëm, që sipas ligjit të bankës, është përgjegjës për cilësinë e kontrollit të saj. Seancat e dëgjimit me guvernatorin për probleme specifike janë pjesë e kontrollit parlamentar, të cilat vendet me demokraci parlamentare të zhvilluar i përdorin në mënyrë efektive. Analizat, gjetjet dhe rekomandimet e kontrollit parlamentar janë shumë të rëndësishme në mirëfunksionimin e institucioneve kushtetuese. I gjithë ky proces i qartëson më mirë përgjegjësitë konkrete të organeve drejtuese të Bankës së Shqipërisë.

A duhet të ketë ndryshime ligjore për të përcaktuar rregulla më strikte për Bankën e Shqipërisë, sidomos në administrim dhe në llogaridhënie?

Legjislacioni aktual për Bankën e Shqipërisë, ligji organik dhe aktet e tjera nënligjore, ekzistojnë dhe janë hartuar me ekspertë shumë të mirë vendas dhe të huaj. Përmirësimi i ligjeve dhe rregulloreve është një proces dinamik, që synon përafrim me legjislacionin e vendeve dhe institucioneve moderne në fushat përkatëse. Vjedhjet që kanë ndodhur në Bankën e Shqipërisë dhe në bankat e nivelit të dytë nga punonjësit e tyre vijnë nga mosrespektimi rigoroz i ligjeve dhe akteve nënligjore në organizimin, drejtimin dhe në kontrollin e disa strukturave dhe aktiviteteve specifike të tyre. Cilësia e përzgjedhjes, trajnimit dhe promovimit të stafeve nga niveli më ulët deri në nivelet më të larta është shumë e rëndësishme sidomos për bankat, ku besimi dhe kredibiliteti publik janë themelet mbi të cilat ato ngrihen dhe funksionojnë. Për të parandaluar çdo dështim të tyre apo për të identifikuar, lokalizuar dhe ndaluar në kohë përhapjen e dështimit të një banke mbi sistemin bankar në tërësi, tregu bankar mbikëqyret më rreptë se tregjet e tjera. Çdo përmirësim ligjor, institucional dhe administrativ për organizmin, drejtimin dhe funksionimin e Bankës së Shqipërisë duhet t’i shërbejë miradministrimit dhe rikthimit të kredibilitetit të saj publik.

Lajme të ngjashme

Back to top button